DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

Zvogëlimi i impaktit negativ të ndryshimeve në mjedis mes standardeve ndërkombëtare ISO

Ndryshimet klimatike po rrezikojnë gjithmonë e më tepër jetën në planetin tonë. Studimet tregojnë se emetimi i pakontrolluar i gazrave të dëmshëm është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në thellimin e krizës ambientale në të gjithë botën. Përqendrimet në rritje të gazrave serrë në atmosferë, veçanërisht dioksidi i karbonit (CO2) që emetohet nga djegia e lëndëve fosile për të prodhuar energji dhe për të përfituar shërbime, po ndryshojnë klimën e Tokës. Po kështu, emetimi i metanit (CH4 ), oksidit të azotit (N2O) dhe komponimeve të halogjenizuara që vijnë si rezultat i dekompozimit të lëndëve organike, po krijojnë efekte negative të pakthyeshme në mjedis.

Aktualisht, industritë më të zhvilluara të globit po punojnë drejt zhvillimit të veprimtarisë prodhuese industriale që përdor zero dioksid karboni (CO2). Këto zhvillime po prekin të gjithë sektorët e ekonomisë dhe shërbimeve, por gjithashtu edhe veprimtarinë e standardizimit mes standardeve ndërkombëtare ISO, që synojnë tejkalimin e krizës mjedisore, duke prodhuar zgjidhje praktike të unifikuara për të gjithë globin.
Në këtë linjë, Komiteti Teknik ISO/TC 207 që punon për menaxhimin e mjedisit ka prodhuar disa standarde të serisë ISO 1406x, për të menaxhuar efektet e gazrave serrë në mjedis, standarde që u vijnë në ndihmë operatorëve të ndryshëm që zbatojnë projekte apo ofrojnë shërbime, veprimtaria e të cilëve ka impakt në mjedis. Kjo seri standardesh trajton ndryshimet klimatike, duke nisur nga nivelet strategjike, qeveritare dhe organizative, e deri te aplikimet praktike, duke u shërbyer operatorëve të ndryshëm në çdo fazë të punës së tyre, për të kontrolluar dhe më pas eliminuar emetimet e gazrave serrë me impakt negativ në mjedis.

Një nga standardet më të rëndësishëm të kësaj serie është ISO 14064-1:2018, i cili është adoptuar si standard shqiptar, mes SSH EN ISO 14064-1:2019 - Gazrat serrë - Pjesa 1: Specifikim me udhëzues në nivel organizimi për përcaktimin sasior dhe raportimin e emetimit të gazrave serrë dhe të mënjanimit të tyre.
Këtë standard dhe të gjithë serinë ISO 1406x, mund ta përfitoni dhe ta bëni pjesë të punës suaj përmes procedurës së blerjes së standardeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit, duke na vizituar fizikishtnë zyrat tona apo duke kryer porosinë tuaj online në link-un: https://dps.gov.al/sq/