Standardi ISO 22525 ndihmon në zhvillimin e turizmit mjekësor, i cili mbulon trajtime mjekësore, duke filluar nga kontrollet e dhëmbëve e deri tek operacionet plastike.
Në vitet e fundit të ardhurave nga turizmi mjekësor janë rritur. Nga të dhënat e librit udhëzues të turizmit mjekësor, raportohet se tregu i turizmit mjekësor është duke u zhvilluar me ritme të shpejta, pasi popullsia, gjithnjë e më shumë kërkon trajtime mjekësore, që janë më të lira, të cilat kryhen në kohë më të shkurtër dhe ofrojnë më shumë zgjedhje, se ku dhe kur do të kryhet trajtimi mjekësor.
Për të kryer një trajtim mjekësor jashtë vendit, pacientët mund të kërkojnë në internet spitalet private, kirurgët, mjekët, trajtimet dhe proceset e shërimit, pa pasur nevojë të këshillohen me agjencitë e udhëtimit ose mjekët vendas. Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO) njeh rreziqet e këtij sektori dhe po synon të sigurojë hartimin e standardeve ndërkombëtare, të cilat do të shërbejnë për të ofruar procedurat më të mira mjekësore, menaxhimin klinik të rrezikut, sigurinë dhe rezultatet e përmirësuara për pacientët.
Ky standard përcakton kërkesat dhe rekomandimet për lehtësuesit dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor në turizmin mjekësor. Ky dokument synon të sigurojë ofrimin e shërbimeve cilësore për turistët në mënyrë që të përmbushë pritshmëritë e turistëve që udhëtojnë për arsye mjekësore si motiv kryesor. Ai nuk zbatohet për qendrat e talasoterapisë, banjat mjekësore ose qendrat e mirëqenies.
Komiteti teknik për turizmin dhe shërbimete tij, ISO / TC 228 ka hartuar një standard të ri, që mbulon kërkesat e shërbimeve të turizmit mjekësor: ISO 22525, Turizmi mjekësor dhe shërbimet - Turizmi mjekësor - Kërkesat për ofrimin e shërbimeve mjekësore.