DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

Standardi ISO 14064-1:2018: Një zgjidhje efektive në ndihmë të krizës mjedisore

Ky dokument teknik specifikon parimet dhe kërkesat e trajtimit të gazrave me efekt serrë në nivel organizativ, planifikues dhe në aplikimin praktik të zgjidhjeve që ofron. ISO 14064-1:2018, përfshin kërkesat për hartimin, zhvillimin, menaxhimin, raportimin dhe verifikimin e planeve të emetimeve të gazrave me efekt serrë, që prodhohen nga veprimtaria e operatorëve të ndryshëm. Ky standard i publikuar në vitin 2018, ka shfuqizuar dhe zëvendësuar standardin ISO 14064-1:2006, duke riparë shumë aspekte teknike që lidhen me zvogëlimin dhe eleminimin më efektiv të emetimeve të dëmshme të gazrave me efekt serrë, që kanë impakt negativ e të pakthyeshëm në planetin tonë.

Disa nga risitë që sjell versioni më i fundit i standardit ISO 14064-1, pjesë e serisë ISO 1406x, e cila trajton ndryshimet klimatike, duke u shërbyer operatorëve të ndryshëm në çdo fazë të punës së tyre, për të kontrolluar dhe më pas eliminuar emetimet e gazrave serrë me impakt negativ në mjedis, janë:

  1. Përfshirja e emetimeve indirekte në fokusin e vëmendjes së operatorëve: Ky ndryshim është një përgjigje ndaj numrit në rritje të organizatave që nënvlerësonin rëndësinë e emetimeve indirekte gjatë ushtrimit të veprimtarive të tyre, duke mos konsideruar impaktin që shkaktonin në krizën mjedisore;
  2. Riemërtimi i emetimeve indirekte nga “emetime të tjera të pacaktuara” në “emetime indirekte”: Kërkesat dhe udhëzimet e reja i ndajnë emetimet indirekte në pesë kategori teknike. Po kështu, koncepti “Kufizim operativ” është riemërtuar në “kufij raportimi” për më tepër thjeshtësi.
  3. Janë hartuar kërkesa dhe udhëzime të reja lidhur me sasinë e gazrave serrë dhe lidhur me raportimin e elementeve teknike më specifike, si psh. trajtimi i karbonit biogjen dhe emetimet e gazrave serrë që emetohen nga prodhimi i energjisë elektrike.

Kush përfiton nga standardi ISO 14064-1:2018?

ISO 14064-1:2018 dhe aplikimi i tij siguron një bazë të qëndrueshme ekspertize të unifikuar, që përmbledh praktikat më të mira të shteteve, për t`u ardhur në ndihmë operatorëve të ndryshëm dhe planetit, për të lehtësuar impaktin negativ të veprimtarive industrial dhe ekonomike në biodiversitetin e planetit tonë. Ky standard mund të studiohet dhe aplikohet nga:

Bizneset - duke siguruar një kuadër të unifikuar dhe të qëndrueshëm në punën e tyre, për të zvogëluar sasinë e emetimit të gazrave serrë në mjedis;

Studentët dhe akademikët – duke u ardhur në ndihmë mes zgjidhjeve konkrete teknike, që përmbledhin eksperiencat profesionale më të mira në lidhje me studimin e impaktit të gazrave serrë në biodiversitet dhe mjedis;

Trupat e çertifikimit dhe agjensitë shtetërore të interesuara – duke shërbyer si burim i qëndrueshëm informacioni lidhur me implementimin efektiv dhe korrekt të kërkesave europiane dhe ndërkombëtare lidhur me nivelin e lejueshëm të emetimeve të dëmshme në mjedis.

Ky standard është adoptuar nga Komitetet Teknike të DPS, mes SSH EN ISO 14064-1:2019 –“Gazrat serrë - Pjesa 1: Specifikim me udhëzues në nivel organizimi për përcaktimin sasior dhe raportimin e emetimit të gazrave serrë dhe të mënjanimit të tyre” dhe është në dispozicion të çdo operatori të interesuar për ta bërë pjesë të punës së tij. Të dhënat mbi standardin dhe mënyrat e blerjes gjenden online në faqen e internetit të DPS-së, në link-un www.dps.gov.al .

*Standardi ISO 14064-1:2018 nuk zëvendëson as legjislacionin kombëtar dhe as kërkesat juridike lidhur me emetimet e dëmshme në mjedis!