DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

Standardet mundësojnë çokollatë të sigurt dhe cilësore për të gjithë

Standardet luajnë një rol të rëndësishëm në sigurimin e ëmbëlsirave të sigurta. Një nga standardet, që ndihmojnë në ofrimin e çokollatave të sigurta, cilësore dhe të shijshme është Standardi Evropian EN 15634-3:2023, i cili është adoptuar në nivel kombëtar si Standard Shqiptar (SSH EN 15634-3:2023), dhe specifikon përmbajtjen e lajthive në çokollata. Qëllimi i këtij standardi është të ndihmojë prodhuesit e ushqimit dhe laboratorët të identifikojnë nëse produktet e çokollatës përmbajnë lajthi, duke përdorur një teknikë të quajtur PCR, e cila identifikon ADN-në specifike të lajthive. Ky standard është shumë i rëndësishëm për sigurinë ushqimore, veçanërisht për individët që kanë alergji ndaj lajthive.

Një tjetër standard i rëndësishëm është EN ISO 23275-1:2008, i cili edhe ky është adoptuar në nivel kombëtar si Standard Shqiptar (SSH EN ISO 23275-1:2008) dhe ofron udhëzime për identifikimin e ekuivalentëve të gjalpit të kakaos (CBE) në gjalpin e kakaos dhe çokollatën e thjeshtë. Këto yndyrna bimore të veçanta të quajtura CBE ndonjëherë shtohen në çokollatë për të zëvendësuar gjalpin e kakaos. Ato ngjajnë shumë me gjalpin e kakaos për nga përbërja dhe vetitë fizike, ndaj janë të vështira për t'u dalluar. Megjithatë, ka rregulla specifike në BE për çfarë lloji dhe në ç’sasi CBE mund të përdoret në çokollatë, prandaj është e rëndësishme që të mund të identifikohen dhe maten ato.

Një çështje tjetër e rëndësishme që ngre shumë pyetje dhe shqetësime është prodhimi i kakaos dhe çokollatës cilësore dhe të sigurtë. Standardi EN ISO 34101-1:2020/A1:2024 siguron që kakaoja e përdorur në çokollata të jetë cilësore dhe e sigurt. Ky standard është hartuar për të ndihmuar organizatat dhe prodhuesit e kakaos të sigurojnë që ferma e prodhimit të kakaos të jetë ekologjike, me përgjegjësi shoqërore dhe ekonomike, duke qenë gjithashtu transparente dhe e identifikueshme nëpërmjet zinxhirit të furnizimit, në mënyrë që të gjithë të mund të shijojnë çokollatë të shijshme.

Standardet sigurojnë gjithashtu që vegjetarianët dhe veganët mund të konsumojnë çokollatë duke lexuar etiketimin, që informon konsumatorët për përbërësit e një produkti. Standardi Evropian EN ISO 23662:2024, i adoptuar në nivel kombëtar si Standard Shqiptar (SSH EN ISO 23662:2024), i ndihmon konsumatorët të gjejnë në treg një çokollatë për vegjetarianët dhe veganët pa qumësht dhe vezë, që askush mos mbetet pa shijuar çokollatë.

Kur bëhet fjalë për ushqimin, ajo që ka në brendësi të paketimit nuk është e vetmja gjë e rëndësishme. Paketimi i duhur dhe higjenik siguron që ushqimet, të cilat konsumohen, të jenë të sigurta dhe të pa ndotura. Standardi SSH EN 15593:2008 siguron që prodhuesit dhe furnizuesit e paketimit të ushqimit të ndjekin kërkesat specifike për menaxhimin e higjenës, në mënyrë që të sigurohet që ushqimi është i pastër dhe i sigurt për konsum.

Siguria dhe autenticiteti i ushqimit janë kryesore për të qenë të bindur se po shijojmë një produkt cilësor dhe të shijshëm. Standardi EN 17972:2024 ofron një metodë për të kuptuar dhe përshkruar autenticitetin e produkteve ushqimore dhe ka një terminologji bazë, e cila do të shërbejë për të gjitha standardet që do të hartohen në të ardhmen në fushën e produkteve ushqimore.

Nga zbulimi i alergjenëve deri te promovimi i paketimit cilësor, standardet mundësojnë që çokollata të jetë e sigurt, cilësore dhe e shijshme.