DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

Sistemet e menaxhimit të inteligjencës artificiale: 'Çfarë duhet të dinë bizneset'?

Nga zhvillimi i makinave automatike edhe deri te te sistemet e menaxhimit të inteligjencës artificiale ndihmojnë bizneset në reduktimin e kostove të prodhimit. Programet e inteligjencës artificiale tashmë po revolucionarizojnë mënyrën se si funksionojnë bizneset. Përparimet në prodhimin e makinerive inteligjente me komanda të automatizuara, po krijojnë një ndryshim paradigme në pothuajse çdo sektor të industrisë.

Duke përfshirë fusha të ndryshme si kujdesi shëndetësor, financa dhe teknologjia e informacionit, inteligjenca artificiale me anë të sistemeve të menaxhimit të saj është lider në inovacione dhe optimizime në shumë fusha të ekonomisë. Me rreziqet dhe kompleksitetin, që sjell implementimi i inteligjencës artificiale, është e rëndësishme të kemi mekanizma të fuqishëm menaxhimi. Sistemet e menaxhimit të AI luajnë një rol vendimtar në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të AI.

Çfarë do të thotë inteligjencë artificiale? AI është një teknologji që i bën makineritë dhe programet kompjuterike inteligjente, duke u mundësuar atyre të kryejnë detyra, që zakonisht kërkojnë inteligjencën njerëzore. Ajo përfshin të kuptuarit e gjuhës njerëzore, njohjen e modeleve, mësimin nga eksperienca dhe marrjen e vendimeve. Në përgjithësi, sistemet e AI funksionojnë duke përpunuar sasi të mëdha të dhënash, duke kërkuar modele me të cilat mund të zbatojnë vendimmarrjen e tyre.

Sipas standardit ISO/IEC TR 24030:2021, me AI nënkuptohet "aftësia për të përvetësuar, përpunuar, krijuar dhe vënë në zbatim njohuritë, të mbajtura në formën e një modeli, për të kryer një ose më shumë detyra të dhëna". Ky përkufizim është më i saktë nga këndvështrimi teknologjik dhe nuk kufizohet në fushat ku AI tashmë po përdoret, por lejon hapësirë për zhvillim të mëtejshëm të saj.

Rreth sistemeve të menaxhimit të AI Pra, si funksionon AI? Një sistem AI punon në bazë të të dhënave, duke përfshirë rregulla dhe të dhëna të paracaktuara, të cilat mund të sigurohen nga njerëzit ose makinat inteligjente, për të kryer detyra specifike. Me fjalë të tjera, makina inteligjente merr të dhëna nga biznesi, pastaj llogarit dhe nxjerr një përfundim duke përpunuar të dhënat hyrëse përmes një ose më shumë modeleve dhe algoritmeve themelore.

Ndërsa aftësitë e AI rriten në mënyrë eksponenciale, ka shqetësime të thella për privatësinë, paragjykimet, pabarazinë dhe sigurinë. Shikimi se si rreziku i AI ndikon te përdoruesit është thelbësor për të siguruar vendosjen e përgjegjshme dhe të qëndrueshme të këtyre teknologjive. Më shumë se kurrë, bizneset sot kanë nevojë për një model sigurie për t'i udhëhequr në implementimin e AI. Standardi ISO/IEC 42001, standardi i parë në botë i sistemit të menaxhimit të AI, plotëson nevojën e bizneseve për të qënë të sigurt gjatë përdorimit të sistemeve të menaxhimit AI.

Ai është një standard i njohur në mbarë botën dhe ofron udhëzime për organizimin dhe menaxhimin e teknologjive të AI. Ai ofron një qasje sistematike për menaxhimin e sfidave, që lidhen me implementimin e sistemit të menaxhimit AI, që mbulon fusha të tilla si etika, llogaridhënia, transparenca dhe privatësia e të dhënave. Standardi i vjen në ndihmë bizneseve për të mbikëqyrur aspektet e ndryshme të inteligjencës artificiale, ai ofron një qasje të integruar për menaxhimin e projekteve të AI, nga vlerësimi i rrezikut deri te trajtimi efektiv i tij.