DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

Qëndrueshmëria Financiare e Organeve Kombëtare të Standardizimit (NSB)

Në kuadër të Projektit Rajonal Infrastruktura e Cilësisë, në datë 06.06.2016 në Shkup, u zhvillua workshopi me temë: “Qëndrueshmëria Financiare e Organeve Kombëtare të Standardizimit (NSB), ku morën pjesë përfaqësues nga NSB dhe ministritë përkatëse. Në këtë aktivitet mori pjesë dhe diskutoi edhe Znj. Gudrun Rognvaldardottir - Zv/Presidente Teknike në CEN dhe CENELEC.

Aktiviteti kishte për qëllim diskutimin aktiv të pjesëmarrësve dhe gjetjen e mundësive për rritjen e të ardhurave nga shërbimi i standardizimit në nivel rajonal.

Nga ana jonë u prezantua situata aktuale e DPS-së, mënyra dhe procesi i financimit të saj si dhe destinacioni i të ardhurave që krijohen nga shitja e standardeve. U theksua se falë kuptimit të rolit të standardizimit dhe barrierave teknike në tregti nga ana e MZHETTS, në asnjë rast nuk janë krijuar kufizime buxhetore për veprimtarinë e standardizimit, përfshirë këtu pagesat e anëtarësimit në organizmat evropiane e ndërkombëtare të standardizimit, pavarësisht krizës globale dhe faktit të një vendi me ekonomi në zhvillim.

Përfaqësuesja e CEN dhe CENELEC vlerësoi këtë fakt si dhe ndarjen e funksioneve të infrastrukturës së cilësisë në Shqipëri (standardizim, akreditim, certifikim, testim e mbikëqyrje e tregut).

Drejtori i standardizimit të Maqedonisë propozoi që rajoni të vendoste çmime të njëjta për standardet e harmonizuara, që u kundërshtua nga përfaqësuesit e Shqipërisë si një masë që nuk ka as impakt në rritjen e të ardhurave të NSB por as nuk mund të bëhet pasi vendosja e çmimeve bëhet në bazë të kërkesë ofertës në secilin vend, GDP, etj.

Disa vende të rajonit që ofrojnë shërbimin e certifikimit brenda institucionit të standardizimit megjithëse u përpoqën të bindnin pjesëmarrësit për vazhdimin e ofrimit të këtij shërbimi, si një mënyrë që gjeneron të ardhura, nuk u mbështet nga Zv/Presidentja e CEN&CENELEC si dhe të ftuarit nga standardizimi i Sllovenisë dhe Kroacisë.

Shqipëria hodhi idenë e përkthimit të standardeve për fushat sensitive, krijimin e një terminologjie rritjen e ndërgjegjësimit të aktorëve, përfshirë funksionimin e mbikëqyrjes së tregut si dhe mundësinë e ofrimit të trajnimeve në standardet, përfshirë ato për fushën e certifikimit si disa mënyra që mund të ndikojnë në rritjen e të ardhurave.