Ky dokument përcakton kërkesat për fushat referencë të rrezatimit beta të prodhuara nga burime radioaktive, të cilat përdoren për kalibrimin e dozimetërve personalë dhe të zonës, si dhe të matësve të normës së dozës, për përcaktimin e madhësive Hp(0,07), H′(0,07;Ω), Hp(3) dhe H′(3;Ω), si dhe për përcaktimin e përgjigjes së tyre në varësi të energjisë së grimcave beta dhe këndit të rënies. Madhësia bazë në dozimetrinë beta është norma e dozës së përthithur në një manekin me shtresa ekuivalente me indin njerëzor.
Ky dokument jep karakteristikat e radionuklideve që janë përdorur për prodhimin e fushave referencë të rrezatimit beta, jep shembuj të konstruksioneve të përshtatshme të burimeve dhe përshkruan metoda për matjen e energjisë maksimale të mbetur të grimcave beta dhe të normës së dozës ekuivalente në një thellësi prej 0,07 mm në sferën e Komisionit Ndërkombëtar për Njësitë dhe Matjet e Rrezatimit (ICRU). Gama e energjisë përfshin intervalin nga 0,22 MeV deri në 3,6 MeV (energji maksimale beta), që korrespondon me 0,07 MeV deri në 1,2 MeV (energji mesatare beta), ndërsa normat e dozës ekuivalente variojnë nga rreth 10 µSv·h⁻¹ deri të paktën në 10 Sv·h⁻¹. Për disa burime, jepen gjithashtu variacionet e normës së dozës ekuivalente në varësi të këndit të rënies. Megjithatë, siç theksohet në ICRU 56, doza ekuivalente mjedisore H*(10), e përdorur për monitorimin e zonës, dhe doza ekuivalente personale Hp(10), e përdorur për monitorimin individual të rrezatimit shumë depërtues, nuk janë madhësi të përshtatshme për rrezatimin beta, edhe në rastet kur ai depërton deri në 10 mm ind (Emax > 2 MeV).
Ky dokument zbatohet për dy seri të fushave referencë të rrezatimit beta, nga të cilat mund të përzgjidhet rrezatimi i nevojshëm për përcaktimin e karakteristikave (kalibrimi dhe varësia nga energjia dhe këndi i rënies) të një instrumenti.
Seria 1 e fushave referencë të rrezatimit prodhohet nga burime radioaktive të përdorura me filtra për sheshimin e rrezes (beam-flattening), të projektuar për të dhënë norma të njëtrajtshme të dozës ekuivalente në një sipërfaqe të madhe në një distancë të caktuar. Burimet e propozuara ¹⁰⁶Ru/¹⁰⁶Rh, ⁹⁰Sr/⁹⁰Y, ⁸⁵Kr, ²⁰⁴Tl dhe ¹⁴⁷Pm prodhojnë norma maksimale të dozës ekuivalente rreth 200 mSv·h⁻¹.
Seria 2 e fushave referencë të rrezatimit prodhohet pa përdorimin e filtrave për sheshimin e rrezes, çka lejon përdorimin e burimeve planare me sipërfaqe të madhe dhe një game distancash midis burimit dhe planit të kalibrimit. Afër burimeve prodhohen vetëm zona relativisht të vogla me normë të njëtrajtshme doze, por kjo seri ka avantazhin e zgjerimit të intervalit të energjisë dhe të normës së dozës përtej atij të serisë 1. Kjo seri përfshin gjithashtu fusha rrezatimi që përdorin absorbues prej polimetilmetakrilati (PMMA) për të ulur energjinë maksimale të grimcave beta. Radionuklidet e përdorura janë të njëjtat si në serinë 1; këto burime prodhojnë norma të dozës ekuivalente deri në 10 Sv·h⁻¹.
IN_DEVELOPMENT
prSSH EN ISO 6980-1:2025
40.20
DIS ballot initiated: 12 weeks
9 shk 2026
Vetëm seksionet informative të projekteve janë në dispozicion të publikut. Për të parë përmbajtjen e plotë, do t'ju duhet të krijoni një llogari. Nëse jeni anëtar, ju lutemi hyni në llogarinë tuaj duke klikuar në butonin "Identifikohu".