Publikuar
Ky dokument përcakton një metodë prove për të përcaktuar në mënyrë të shpejtë përqendrimin e aktivitetit të radionuklideve emetuese gama, si ¹³¹I, ¹³²Te, ¹³⁴Cs dhe ¹³⁷Cs, në mostra prove të ngurta ose të lëngshme, duke përdorur spektrometri të rrezeve gama me detektorë shkëndijash me rezolucion më të ulët krahasuar me detektorët HPGe (shih IEC 61563).
Kjo metodë prove mund të përdoret për matjen e çdo matrice mjedisore potencialisht të kontaminuar (përfshirë tokën), si dhe për mostra ushqimore dhe ushqim për kafshë, si edhe materiale ose produkte industriale që janë përgatitur në mënyrë të përshtatshme. Teknikat e përgatitjes së mostrës të përdorura në metodë nuk specifikohen në këtë dokument, pasi zakonisht nuk kërkohen teknika të veçanta përgatitjeje përveç përpunimeve të thjeshta mekanike (prerje, bluarje, etj.). Megjithëse procedura e marrjes së mostrës është shumë e rëndësishme në matjen e radioaktivitetit, ajo nuk përfshihet në fushën e këtij dokumenti; ekzistojnë standarde të tjera ndërkombëtare për marrjen e mostrave që mund të përdoren në kombinim me këtë dokument.
Metoda e provës zbatohet për matjen e radionuklideve emetuese gama si ¹³¹I, ¹³⁴Cs dhe ¹³⁷Cs. Duke përdorur vëllime mostre nga 0,5 l deri në 1,0 l në një enë Marinelli dhe një kohë numërimi nga 5 min deri në 20 min, mund të arrihet një prag vendimmarrjeje prej 10 Bq·kg⁻¹ duke përdorur një spektrometër shkëndijash të disponueshëm në treg [p.sh. spektrometër me jodur natriumi të aktivizuar me talium (NaI(Tl)), me detektor me përmasa 2” φ × 2” (50,8 mm Ø × 50,8 mm), rezolucion 7 % (FWHM) në 662 keV, mburojë plumbi me trashësi 30 mm].
Kjo metodë prove mund të zbatohet gjithashtu në një laborator të improvizuar (“makeshift”) apo edhe jashtë një laboratori testimi, duke matur drejtpërdrejt mostrat në terrenin ku janë mbledhur.
Gjatë një emergjence bërthamore ose radiologjike, kjo metodë mundëson matje të shpejtë të përqendrimit të aktivitetit të mostrave potencialisht të kontaminuara, për t’i krahasuar me nivelet operative të ndërhyrjes (OIL) të vendosura nga personat përgjegjës, të cilat aktivizojnë masa të paracaktuara emergjente për uljen e rrezikut nga rrezatimi.
Për shkak të pasigurive të lidhura me rezultatet e marra nga kjo metodë, mostrat që kërkojnë rezultate më të sakta mund të analizohen në laborator duke përdorur spektrometri gama me detektorë gjermaniumi me pastërti të lartë (HPGe), pas përgatitjes së duhur të mostrave.
Ky dokument nuk përmban kritere për përcaktimin e përqendrimeve të aktivitetit për nivelet operative të ndërhyrjes (OIL).
PUBLISHED
SSH EN ISO 19581:2025
60.60
Standard published
10 qer 2026