Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO) ka publikuar standarde, që ndihmojnë bizneset në zbatimin e projekteve. Kohët e fundit, bizneset po hartojnë dhe zbatojnë shumë projekte të reja, të cilat sjellin përfitime sociale dhe ekonomike.
Një botë e përsosur, e udhëhequr nga një ekonomi me një tërësi projektesh, është një vend ku njerëzit nxiten të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për t'i kthyer idetë në realitet. Ky fenomen ndodh kur organizatat krijojnë vlera të jashtëzakonshme për të tejkaluar pritshmëritë e palëve të interesuara, duke realizuar me sukses shumë projekte. Megjithatë, hulumtimet tregojnë se vetëm 35% e projekteve të nisura globalisht janë të suksesshme. Kjo do të thotë se ka kosto të mëdha, si: humbje kohe, humbje parash, burimesh dhe mundësish.
Ngadalë, por në mënyrë të sigurtë, projektet kanë dominuar vendet e punës si një nxitës kritik për biznesin, duke sjellë inovacion, rritje dhe sukses. Deri në njëfarë mase, rritja e ekonomisë nga zbatimi i projekteve nënkupton rritjen e vendeve të lira të punës. Instituti i Menaxhimit të Projekteve (IMP) parashikoi se vlera e aktiviteteve të zhvilluara nga projektet në mbarë botën do të arrijë në 20 trilionë dollarë deri në vitin 2027, duke krijuar vende të reja pune për 88 milionë njerëz.
Në një këndvështrim të sotëm, ku konkurrenca është e ashpër, një biznes mund të ketë sukses vetëm nëse adopton inovacionin dhe kreativitetin, dhe menaxhimin efektiv të projekteve, i cili sjell risi në biznes. Menaxhimi efektiv i projekteve ndihmon organizatat të realizojnë punën në mënyrë sistematike, duke përcaktuar qëllime dhe objektiva dhe duke zbatuar strategjitë e duhura në një periudhë të caktuar kohore. Standardet e publikuara ISO 21503 dhe ISO 21504 do të ndihmojnë në përmirësimin e drejtimit dhe menaxhimit të projekteve, duke udhëhequr organizatat drejt efikasitetit dhe rezultateve më të mira.
Një program është një grup projektesh që janë të ngjashme ose të lidhura me njëra-tjetrën dhe shpesh menaxhohen dhe koordinohen sëbashku. Standardi ISO 21503 ofron udhëzime mbi konceptet, parakushtet dhe praktikat e menaxhimit të programeve, që janë të rëndësishme dhe kanë ndikim në performancën e tyre.
Menaxhimi efektiv i projekteve është thelbësor për suksesin e një organizate.
Një portofol projektesh është një grup programesh të ndryshme që realizohen brenda së njëjtës organizatë. Standardi ISO 21504 jep udhëzime mbi parimet e menaxhimit të portofolit të projekteve dhe programeve. Menaxhimi i portofolit të projekteve dhe programeve mbështet strategjitë organizative për të ofruar vlera.