DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

Largoni vapën freskohuni me një akullore

Sipas studimeve, në botë konsumohen rreth 15 miliardë litra akullore në vit dhe trendi i konsumimit të saj është në rritje. Historiku i prodhimit të akullores daton që në vitet 550 para Krishtit. Gjatë shekujve, akullorja ka qenë një luks i rezervuar vetëm për shtresat aristokrate të shoqërisë, pasi përbërësit dhe mënyra e ruajtjes së saj kërkonin kosto të larta.

Shekuj më vonë, me shpikjen dhe përdorimin e teknologjisë së ftohjes, nëpërmjet modeleve të hershme të frigoriferëve dhe ngrirësve komercialë u bë e mundur ruajtja e akullores. Megjithatë, këto pajisje ishin të mëdha, të rënda dhe të kushtueshme. Një ndër problemet kryesore ishte pasiguria që ato kishin, pasi mund të shkaktonin zjarr ose të çlironin gaze toksike.

Me përhapjen e energjisë elektrike dhe përparimet në teknologjinë e frigoriferëve në fillim të shekullit të 20-të, u krijuan makinat elektrike për prodhimin e akullores, duke çuar në zhvillimin e shpejtë të tregut të saj me një rritje që vazhdon ende sot. Sipas raporteve të fundit, pritet që shitjet globale të akullores të arrijnë vlerën prej 125 miliardë dollarësh deri në vitin 2033, prej prodhimit të saj me një shumllojshmëri shijesh.

Po ç'lidhje ka prodhimi dhe shitja e akullores me standardet?
Që kur pajisjet nisën të funksionojnë me energji elektrike, standardet e IEC-së kanë luajtur një rol kyç në garantimin e sigurisë dhe performancës së frigoriferëve, ngrirësve dhe të gjitha pajisjeve të tjera të domosdoshme për industrinë e akullores. Këto standarde sigurojnë, për shembull, që frigoriferët të mos çlirojnë gazra toksikë, ngrirësit të mos përbëjnë rrezik zjarri dhe makinat e akullores të jenë të sigurta, efikase dhe funksionale. Seria e standardeve IEC 62552 përcakton kriteret për sigurinë, performancën dhe konsumin e energjisë të frigoriferëve.

Duke marrë parasysh zhvillimet teknologjike, IEC-ja ka përditësuar së fundmi disa standarde që lidhen drejtpërdrejt me prodhimin dhe ruajtjen e akullores. Standardi IEC 60335-2-118 përcakton kërkesat e sigurisë për pajisjet profesionale të prodhimit të akullores, si ato që përdoren në dyqane dhe lokale, ndërsa standardi IEC 60335-2-24 përcakton kërkesat për pajisjet shtëpiake për prodhimin e akullores.

Të gjitha këto standarde mund të testohen nëpërmjet Sistemit IEC për Skemat e Vlerësimit të Konformitetit për Pajisjet dhe Komponentët Elektroteknikë (IECEE). Ky sistem garanton që produktet e testuara dhe të certifikuara plotësojnë nivelet më të larta të sigurisë, besueshmërisë dhe performancës, sipas standardeve ndërkombëtare përkatëse.