DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

Komiteti Evropian për Standardizimin (CEN) ka publikuar standardin e ri EN 17680 për rikonstruktimin e ndërtesave

Rikonstruktimi i ndërtesave është procesi i rinovimit, përditësimit ose restaurimit të një ndërtese ekzistuese për të përmirësuar gjendjen e saj. Ai është i domosdoshëm jo vetëm për konsideratat mjedisore, por edhe për një sërë arsyesh të tjera, duke filluar nga reduktimi i kostove të përdorimit e deri te ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe rritja e sigurisë së ndërtesave.

Një botë me emetime neto zero të karbonit serë mund të arrihet duke reduktuar emetimet në burimin e tyre dhe duke anuluar emetimet e mbetura përmes kompensimeve të karbonit. Reduktimi i karbonit është procesi i uljes së drejtpërdrejtë të emetimeve përmes efikasitetit, ndërsa kompensimi i karbonit përfshin investimin në "reduktimin e karbonit" - d.m.th. pyjet dhe oqeanet tona – që thithin CO2 për të kompensuar emetimet, që ndodhin diku tjetër.

Në vitet e fundit, Bashkimi Evropian ka prezantuar disa politika dhe iniciativa që promovojnë rinovimin e ndërtesave për të arritur efiçencën e energjisë, qëndrueshmërinë dhe përfitimet ekonomike. Midis tyre, gjejmë Strategjinë e Valës së Rinovimit, Planin e Veprimit të Ekonomisë Qarkulluese dhe Direktivën për Performancën Energjetike të Ndërtesave, e cila do të përditësohet së shpejti.

Megjithatë, a kanë nevojë apo mund të rinovohen të gjitha ndërtesat? Një pjesë e konsiderueshme e tyre duhet të rikonstruktohen.Vendimi për të rikonstruktuar një ndërtesë varet nga faktorë të ndryshëm, duke përfshirë gjendjen e saj, vjetërsinë, qëllimin dhe pajtueshmërinë me rregulloret dhe standardet aktuale.

Standardi EN 17680:2023 i publikuar së fundmi 'Qëndrueshmëria e punimeve të ndërtimit - Vlerësimi i potencialit për rinovim të qëndrueshëm të ndërtesave' mbështet procesin e vendimit strategjik se si të rikonstruktohen ndërtesat ekzistuese në një mënyrë të qëndrueshme, duke marrë parasysh që jo të gjitha ndërtesat duhet të rinovohen nëse kushtet ekzistuese të një ndërtese nuk e lejojnë atë.

Sipas tekstit të standardit, pika fillestare për vendimet për rikontruktimin e ndërtesave ekzistuese është një analizë gjithëpërfshirëse. Kjo përfshin një studim të ndërtesës për të përcaktuar dëmtimin dhe një vlerësim të performancës aktuale teknike dhe funksionale. Potenciali për një përmirësim në performancën e ndërtesës dhe përpjekjet që ajo kërkon gjithashtu vlerësohen. Gjatë këtij vlerësimi, merren parasysh edhe elementë të tjerë, si nevoja për t'u përafruar me kërkesat e mundshme të përdoruesve në të ardhmen ose përdorimet e mundshme, ndryshimi i mjedisit politik dhe legjislativ, situata e tregut, kushtet mjedisore, vlerat sociale dhe progresi teknik.

Rezultatet e kësaj analize mund të përdoren për të marrë vendime themelore se si të rikonstruktohen ndërtesat ekzistuese. Nëse rikonstruktimi ose ripërdorimi janë opsione të zbatueshme, këto mund të testohen duke përdorur rezultatet e një studimi të ndërtesës dhe pas një vlerësimi të qëndrueshmërisë të kryer në përputhje me standardin EN 15643 'Qëndrueshmëria e punimeve të ndërtimit - Kuadri për vlerësimin e ndërtesave dhe punimeve të inxhinierisë civile'.

Standardi EN 17680 ofron gjithashtu një procedurë për të vlerësuar karakteristikat e performancës së ndërtesës ekzistuese bazuar në një sistem tregues dhe nivele klasifikimi.
Standardi EN 17680:2023 u hartua nga komiteti teknik CEN/TC 350 'Qëndrueshmëria e punimeve të ndërtimit', i cili është përgjegjëse për hartimin e metodave të standardizuara për vlerësimin e aspekteve të qëndrueshmërisë së punimeve të reja dhe ekzistuese të ndërtimit. Sekretariati i tij mbahet nga AFNOR, Organizmi Kombëtar Francez i Standardizimit.