Ditën e djeshme, më datë 15 Janar 2020, u nënshkrua “Marrëveshja e Bashkëpunimit” mes Drejtorisë së Përgjithshmë të Standardizimit dhe Universitetit Polis, gjatë një takimi ku u ra dakord për bashkëpunimin midis dy institucioneve, veçanërisht në implementimin e standardeve të projektimit, të njohura gjerësisht si Eurokodet e projektimit në fushën e ndërtimit.
Ky bashkëpunim vjen në kuadër të masave dhe aktiviteteve të DPS për të rritur ndërgjegjësimin mbi rolin dhe rëndësinë e standardeve, në këtë rast të studentëve të Departamentit të Arkitekturës dhe Inxhinierisë mbi rolin dhe rëndësinë e standardeve në projektim.
Një përfitim tjetër nga ky bashkëpunim është edhe përgatitja e gjeneratave të ardhshme të inxhinierëve dhe arkitektëve që do të përdorin çdo ditë në punën e tyre standardet dhe eurokodet, të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit i vë në dispozicion si standarde Shqiptare për përdorim.
Përgatitja e studentëve aktualë, që do jenë përdoruesit e ardhshëm të standardeve në këtë fushë, do të sjellë vepra inxhinierike të sigurta dhe me cilësi për qytetarët, duke i qëndruar në këtë mënyrë edhe fenomeneve natyrore.
Studentët e Universitetit Polis dhe rrjeti Alumni janë në fokus të marrëveshjes së lidhur mes DPS-së dhe Universitetit Polis dhe si rezultat i saj do të kënë mundësi të shumta trajnimi, workshopesh dhe intershipesh në fushat e standardizimit dhe aplikimit të standardeve specifike me interes për diplomimin dhe punën e tyre.
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i DPS-së Z. Riza Hasanaj dhe Rektori i Universitetit Polis Z. Besnik Aliaj, të cilët shprehën vullnetin dhe interesin e institucioneve që përfaqësojnë për të qenë të hapur ndaj bashkëpunimeve të ardhshme.
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS)
Rruga: "Reshit Çollaku" (godina e ILDKPKI, kati VI)
Kutia Postare 98
1014 Tiranë – Shqipëri
Tel: + 355 (4) 222 62 55
Fax: + 355 (4) 224 71 77
E-mail: info@dps.gov.al
Web: www.dps.gov.al