DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

DITA BOTËRORE E STANDARDEVE

“Vizioni i përbashkët për një botë më të mirë”

14 Tetori, Dita Botërore e Standardeve (DBS) celebrohet në nder të qindra e mijëra ekspertëve në mbarë botën, të cilët kontribuojnë vullnetarisht për hartimin dhe miratimin e standardeve teknike, në të mirë të zhvillimit dhe mirëqënies së shoqërisë.

Tema e DBS së këtij viti është mesazhi, që komuniteti europian e ndërkombëtar i standardizimit jep për të gjithë ekspertët e fushave të ndryshme të ekonomisë, për të vazhduar të kontribuojnë me një vision të përbashkët për një botë më të mirë. Ky vizion i përbashkët do të kontribuojë në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm (SDGs), të cilat synojnë përballimin më me lehtësi të sfidave, që po përballemi.

Është fakt tashmë, se standardet stimulojnë tregtinë dhe bëjnë të kapërcehen pengesat e panevojshme në tregti, duke ndihmuar biznesin, industrinë dhe ekonomitë e vendeve të jenë më konkuruese. Gjithashtu, standardet ndihmojnë në kapërcimin dhe vazhdimësinë e biznesit edhe në raste krizash apo pandemish botërore, në ruajtjen e ekosistemeve dhe kursimin e energjisë.

Standardet luajnë një rol shumë të rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare. Një produkt i prodhuar dhe i tregtuar me standarde siguron shëndetin e konsumatorit dhe rrit shanset për zgjerim të tregtisë dhe konkurueshmëri të ndershme brenda dhe jashtë territorit të vendit.
Ndërveprimi social mbështetet në respektin e përbashkët ndaj grupeve, normave themelore, koncepteve apo kuptueshmërisë. Standardet ndërkombëtare unifikojnë këto norma, për të siguruar që ato janë të njejta dhe të arritshme për të gjithë.

Një produkt apo një shërbim i ofruar në përputhje me standardet ndërkombëtare, krijon mënjëherë besimin për cilësi dhe siguri. Standardet flasin me diversitetin e botës sonë të ndërlidhur, duke dhënë uniformitet në cështjet dhe problematikat që përballemi, për të cilat kërkojmë të sigurohemi se po flasim për të njëjtat terma.

Në Ditën Botërore të Standardeve, DPS falenderon me mirënjohje dhe respekt të gjithë anëtarët e Komiteteve Teknike pranë saj, pa pjesëmarrjen dhe kontributin e të cilëve adoptimi dhe publikimi i Standardeve Kombëtare do të ishte i pamundur.

Në vijim ne do të kemi mundësinë të theksojmë rëndësinë e standardeve, duke dhënë shembuj konkretë të rolit dhe dobisë së tyre në jetët tona të përditshme.