Bordi Teknik i DPS-së miraton Programin e Punës për adoptimin e standardeve dhe ndryshimet në Komitetet Teknike (KT), për vitin 2025
Në datë 07 Shkurt 2025, ora 11:00 u zhvillua mbledhja e Bordit Teknik të DPS-së. Pjesëmarrja në mbledhje ishte fizikisht në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit ku shumica e anëtarëve prezent shprehën konfirmimin dhe miratimin e programit vjetor të punës për adoptimin e standardeve dhe ndryshimet në Komitetet Teknike të DPS-së.
Anëtarët e BT-së shqyrtuan materialet e dërguara paraprakisht me e-mail; Listat me standardet e propozuara për adoptim gjatë vitit 2025 dhe Ndryshimet në Komitetet Teknike (KT) të DPS, që do të funksionojnë gjatë kësaj periudhe, sipas rendit të programit të mbledhjes.
Drejtori i Pergjithshëm Z. Riza Hasanaj citoi rritjen e kërkesave të reja për pjesëmarrje në Komitetet Teknike të DPS-së në të gjitha fushat e ekonomisë dhe teknologjisë së informacionit, por kryesisht u theksua interesi i lartë për përfshirje në Komitetet Teknike të DPS-së në fushën e ndërtimit dhe transportit me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).
Komitetet Teknike të cilat patën ndryshime, në drejtim të anëtarësimeve të reja, ishin në fushën e Ndërtimit, fushën e Teknologjisë së Informacionit, Transportit, Materialeve Elektrike dhe Elektronike, Pajisjeve Mjekësore, Pajisjeve Ndriçuese si dhe në fushën e Pajisjeve nën presion, DPS/KT 51 "Çimento dhe gëlqere ndërtimi. Gips dhe prodhime me bazë gipsi", DPS/KT 104 "Beton dhe produkte që lidhen me të. Automatizimi, menaxhimi dhe aksesorët në ndërtim", DPS/KT 154 “Agregate dhe muraturë”, DPS/KT 9 Teknologjia e komunikimit dhe informacionit etj.
Në këtë mbledhje Bordi Teknik miratoi:
Programin Vjetor të Punës për adoptim, viti 2025;
Përbërjen e Komiteteve Teknike, për të njëjtën periudhë.
Mbledhja e radhës e Bordit Teknik, për shtesa në Listat e standardeve për adoptim dhe shqyrtimin e kërkesave për pjesëmarrje në KT, do të mbahet javën e fundit të muajit Qershor 2025.