DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Phone: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Address: Address: "Reshit Collaku" Str., (nearby ILDKPKI, VI floor), Po.Box 98, Tiranë - Albania
Main menu

Sot është Dita Ndërkombëtare e Standardeve!

Çdo vit më 14 Tetor, anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Standardeve të Elektroteknikës (IEC), anëtarët e Organizatës Ndërkombëtare të Standardizimit (ISO) dhe anëtarët e Unionit Ndërkombëtar të standardeve të Telekomunikacionit (ITU) festojnë Ditën Botërore të Standardeve, e cila është një mjet për t'i nderuar ata për përpjekjet e tyre bashkëpunuese.

Në këtë Ditë falenderimet shkojnë tek të gjithë ata mijëra ekspertë në mbarë botën, që hartojnë standardet dhe dokumentet teknike vullnetare që publikohen si Standarde Ndërkombëtare. Ky falenderim shkon për ekspertët e Organizmave Evropiane të Standardizimit si CEN, CENELEC dhe ETSI dhe gjithashtu për të gjithë ata ekspertë të angazhuar në Organizmat Kombëtare të Standardizimit, në rastin tonë ekspertët e Komiteteve Teknike të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit, që punojnë e kontribuojnë për standardet kombëtare.

Sot ne falenderojmë edhe bashkëpunëtorët, që nuk kontribuojnë direkt si ekspertë në hartimin e standardeve. Këtu mund të përmendim Projektin për Cilësinë Globale dhe Standardet (GQSP) të zbatuar dhe menaxhuar nga Organizata për Zhvillimin Industrial të Kombeve të Bashkuara (UNIDO), të cilët po japin një kontribut të shkëlqyer për infrastrukturën e cilësisë dhe sistemin e standardizimit në Shqipëri.

Kontributi i UNIDOs shtrihet në promovimin e rëndësisë së standardeve tek grupet e interesit, trajnimin e bashkëpunëtorëve dhe ekspertëve të standardeve, digitalizimin e proceseve për punën kombëtare të standardeve dhe promovimin e prioriteteve të Qeverisë për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në jetën sociale dhe në të gjitha qelizat e shoqërisë.

Hartimi dhe publikimi i Standardeve ka të bëjë vecanërisht me vizionin tonë të përbashkët për një botë më të mirë.

Tema e kësaj dite për vitin 2024, "Vizioni ynë i përbashkët për një botë më të mirë", thekson se si standardet mund të mbështesin arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (SDGs), me fokus specifik në objektivin 9 të SDG: Industria, Inovacioni dhe Infrastruktura, por jo vetëm.

Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs), të cilat synojnë të adresojnë cështjet mbi pabarazitë sociale, uljen e varfërisë, zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe ngadalësimin e ndryshimeve klimaterike, janë shumë ambicioze. Për t'i arritur ato kërkohet bashkëpunimi i shumë partnerëve publikë dhe privatë dhe përdorimi i të gjitha mjeteve në dispozicion, duke përfshirë standardet ndërkombëtare dhe vlerësimin e konformitetit.

I gjithë sistemi i hartimit dhe miratimit të standardeve është ndërtuar mbi bashkëpunimin. Duke punuar së bashku, ne fuqizojmë njerëzit, adresojmë cështje e japim zgjidhje për probleme të ndryshme të botës reale, duke përfshirë sfidat e qëndrueshmërisë dhe barazisë gjinore, të cilat nuk janë vetëm çështje të grave, por duhet të adresohen nga të gjithë dhe nga çdo organizatë. Kjo shihet edhe si çështje e të drejtave të njeriut edhe si parakusht dhe tregues i zhvillimit të qëndrueshëm me në qendër njerëzit. Si e tillë, adresimi i barazisë gjinore është një shtyllë thelbësore e përgjegjësisë sociale të çdo organizate, duke përfshirë axhendën e saj mjedisore, sociale dhe të qeverisjes.

Në kuadër të partneritetit DPS - UNIDO është bërë i mundur përkthimi në shqip i standardit ndërkombëtar ISO 53800 “Udhëzime për promovimin dhe zbatimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave”.

Përkthimi i këtij standardi të sapopublikuar nga ISO vjen në një kohë kur pavarësisht progresit të bërë, pabarazitë gjinore dhe diskriminimi me bazë gjinore mbeten ende të përhapura në vend dhe në të gjithë botën e në të gjitha fushat. Për këtë, DPS në kuadër të partneritetit të saj me UNIDO, do të organizojë takime sensibilizuese me të gjithë aktorët kontribues, me bindjen se të gjitha organizatat janë në gjendje të marrin masa për promovimin e barazisë gjinore, pavarësisht nga eksperienca, fusha/natyra e aktivitetit, madhësia dhe objektivat e organizatës.

Duke u ndalur edhe një herë në falenderimin e të gjithë bashkëpunëtorëve, ekspertë dhe jo vetëm, Ju urojmë të gjithëve Gëzuar Ditën e Standardeve!