DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Phone: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Address: Address: "Reshit Collaku" Str., (nearby ILDKPKI, VI floor), Po.Box 98, Tiranë - Albania
Main menu

Komiteti Evropian për Standardizimin CEN dhe Komiteti Evropian i Standardeve në fushën e Elektroteknikës CENELEC i bashkohen javës së dedikuar nga BE për prodhimin e energjisë në rajon me anë të standardeve Evropiane (EN)

Java e dedikuar për vazhdueshmërinë e prodhimit të energjisë nga BE për vitin 2022, nisi me tematikën “Tranzicioni i vazhdueshëm për prodhimin e energjisë në Evropë, pa ndikime në mjedis”. Me këtë rast, CEN dhe CENELEC konfirmojnë angazhimin e tyre për zhvillimin e standardeve, që ndihmojnë në sigurimin e një të ardhmeje të qëndrueshme në fushën energjetike në Evropë.

Investimi në burime dhe teknologji të reja të qëndrueshme të energjisë është çelësi për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë të prodhimit dhe furnizimit me energji në Evropë. Situata aktuale e furnizimit me energji është urgjente, për shkak të ndikimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila kufizon furnizimet tradicionale të Evropës me energji.
Sfida të tilla kërkojnë një përpjekje bashkëvepruese për t'u menaxhuar. Java e dedikuar për vazhdueshmërinë e prodhimit të energjisë ofron një mundësi strategjike për të rikonceptuar së bashku të ardhmen energjetike të Evropës.

CEN dhe CENELEC, dy Organizatat Evropiane të Standardizimit kanë një përvojë të gjatë pune me palët e interesuara për të hartuar zgjidhje të menjëhershme, që i përgjigjen nevojave më urgjente të ekonomisë dhe shoqërisë evropiane. Në veçanti, siç theksohet nga Strategjia e përbashkët për vitin 2030, një nga prioritetet është mbështetja e ambicieve të BE-së për të arritur tranzicionin dixhital dhe të gjelbër.

Sot funksionojnë rreth 79 Komitete Teknike (KT) të CEN dhe CENELEC, që punojnë në sektorin e energjisë. Standardet, që hartojnë këto komitete luajnë një rol unik dhe ato mbështesin objektivat e politikave dhe u ofrojnë palëve të interesuara udhëzime të qarta, të përditësuara dhe të orientuara nga tregu, të cilat bazohen në konsensusin e një grupi të gjerë ekspertësh, që vijnë nga gjithë shtetet e Evropës. Bashkëpunimi i ekspertëve të fushës nga shtete të ndryshme të Evropës i bën standardet një nga mjetet më efikase për të mbështetur rrugëtimin drejt dixhitalizimit dhe qëndrueshmërisë së industrisë së energjisë.

Disa nga fushat me interes të veçantë për BE-në në të cilat CEN dhe CENELEC kanë qenë veçanërisht aktive vitet e fundit përfshijnë:
Prodhimin e baterive: Në kontekstin e Planit Strategjik të Veprimit të BE-së për prodhimin e baterive, që përcakton një strategji për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të prodhimit të baterive në Evropë, CEN dhe CENELEC po hartojnë standarde në lidhje me aspektet e performancës dhe qëndrueshmërisë së baterive portative të rikarikueshme dhe jo të rikarikueshme. Organet teknike aktive për këtë çështje përfshijnë CEN/TC 301 'Mjetet rrugore', CLC/TC 21X 'Bateritë dhe bateritë sekondare' dhe CLC/SR 35 'Bateritë dhe bateritë primare'. Këto standarde do të mbështesin zhvillimin e një industrie konkurruese dhe të qëndrueshme të prodhimit të baterive në Evropë.

Energjinë e erës: Standardizimi në fushën e sistemeve të prodhimit të energjisë me anë të erës përfshin turbinat e erës, termocentralet e erës në tokë dhe në det të hapur dhe ndërveprimin me sistemet elektrike me anë të të cilit prodhohet energjia. Në këtë kontekst, komiteti teknik CLC/TC 88 ‘Turbinat me erë’ harton standard, që menaxhojnë përshtatshmërinë e vendndodhjes dhe vlerësimin e burimeve, kërkesat e projektimit, integritetin inxhinierik, kërkesat e modelimit, teknikat e matjes, procedurat e testimit, funksionimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të prodhimit të energjisë me anë të erës.

Energjinë diellore fotovoltaike dhe termike: Komiteti teknik CLC/TC 82, Sistemet e energjisë diellore fotovoltaike harton standarde për prodhuesit dhe përdoruesit e energjisë diellore. Energjia termike diellore ka një gamë të gjerë zbatimesh dhe mund të luajë një rol kyç në plotësimin e kërkesës për energji të ndërtesave, sepse ngrohja diellore mund të përdoret si për ngrohjen e ujit ashtu edhe për ngrohjen e hapësirave, si dhe për ftohje. Në këtë fushë, komiteti teknik CEN/TC 312 'Sistemet dhe komponentët diellorë termikë' harton standarde për të mbuluar terminologjinë, kërkesat e përgjithshme, karakteristikat, metodat e testimit, vlerësimin e konformitetit dhe etiketimin e sistemeve dhe komponentëve diellorë termikë.

Gazin: Optimizimi i të gjithë zinxhirit të furnizimit me gaz është thelbësor për të reduktuar ndikimin e sektorit në mjedis dhe për të garantuar sigurinë e furnizimit për të gjithë qytetarët evropianë. Disa komitete teknike CEN/TC hartojnë standarde, që kanë të bëjnë me kërkesat teknike për infrastrukturë të sigurt, efikase dhe të qëndrueshme të gazit. Për shembull, komiteti teknik CEN/TC 234 'Infrastruktura e Gazit' formoi një grup të ri pune për të hartuar një raport teknik, që do të ndihmojë në vlerësimin dhe përcaktimin sasior të emetimeve të metanit në sistemet e transmetimit, shpërndarjes dhe depozitimit të gazit dhe terminalet e gazit duke ndihmuar organizmat e BE-së të arrijnë objektivat e neutralitetit klimatik për vitin 2050.

Këto janë vetëm disa nga shembujt, që tregojnë përkushtimin e CEN dhe CENELEC për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm energjetik për Evropën. Pjesë e këtij sistemi janë edhe Komitetet Teknike të DPS, të cilat adoptojnë dhe miratojnë të gjitha standardet e fushave të përmendura më lart nga KT të CEN&CENELEC.
Ekspertët e Komiteteve Teknike të DPS janë të lutur të shprehin dëshirën dhe vullnetin e tyre në DPS, për të marrë pjesë aktive në punën e Komiteteve Teknike të CEN dhe CENELEC.

DPS, si Organi Kombëtar i Standardizimit në vend, ka përgjegjësinë për të drejtuar gjithë procesin e pjesëmarrjes në punën kombëtare dhe atë evropiane e ndërkombëtare të standardeve.