Standardi ISO 45001 është standardi i vetëm për menaxhimin e shëndetit dhe sigurisë në punë. Ai u hartua duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare për menaxhimin e shëndetit në punë. Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO), ka publikuar versionin e ri të standardit ISO 45001. Ai i ndihmon organizatat/kompanitë të marrin masat e duhura, të cilat do të çojnë në uljen e aksidenteve në punë dhe në krijimin e një kulture pozitive të shëndetit dhe sigurisë në punë.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, puna me sigurime dhe me të drejta të plota është punë e sigurtë. Çdo vit në botë, sipas statistikave ndërrojnë jetë rreth 2.78 milion njerëz nga aksidentet në punë ose sëmundje profesionale. Në vendet e pa sigurta të punës ndodhin qindra miliona aksidente dhe shkaktohen sëmundje profesionale, të cilat sjellin kosto shoqërore dhe ekonomike të konsiderueshme.
Standardi ISO 45001, Sistemet e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë - Kërkesat me udhëzime për përdorim, synon të përmirësojë statistikat, duke ofruar një model të ri për të zvogëluar rreziqet në vendin e punës, për të përmirësuar shëndetin, për të rritur sigurinë dhe për të promovuar mirëqenien në punë. Ai ndihmon në krijimin e një mjedis të sigurt dhe mbështetës, që punëdhënësit mund të krijojnë një kulturë në vendin e punës, ku punonjësit ndihen rehat për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje kur është e nevojshme.
Përfitimet e zbatimit të këtij standardi janë të shumta, si: reduktimi i rrezikut të sëmundjeve dhe aksidenteve në punë, deklarimi i sigurimeve të punonjësit, sjellja më pozitive në ndërmarrje dhe bashkëpunim më i mirë me klientët, furnitorët dhe palët e treta.