Ditën e premte, datë 17 janar, në qytetin e Vlorës u mbajt takimi i radhës me gratë sipërmarrëse artizane, në kuadër të tryezës së rrumbullakët me temë: Sfidat e biznesit dhe institucioneve publike në procesin e integrimit në BE
.
Pjesëmarrja e DPS në këtë takim, në cilësinë e lektorit vjen në kuadër të angazhimit të saj për të rritur ndërgjegjësimin e sipërmarrjes vendase për rëndësinë e përdorimit të standardeve në produktet dhe shërbimet e ofruara. Me shumë interes është gjithashtu rritja e ndërgjegjësimit për rolin e standardeve në shkëmbimet tregtare të këtyre sipërmarrëseve gra me produktet artizanale të tyre.
DPS-ja ishte pjesë e diskutimeve të sotme, ku pjesëmarrëset patën mundësinë të njiheshin me kuptimin e termit standard
si dhe me rëndësinë e aplikimit të standardeve në punën e tyre të përditshme. Gjithashtu u realizua njohja e grave sipërmarrëse me një seri standardesh specifike të fushës së produkteve ushqimore, lidhur me të cilat interesi i tyre ishte mjaft i lartë.
Pjesëmarrëset patën mundësinë të drejtonin pyetje dhe të informoheshin sa i përket mënyrës së organizimit të punës në DPS dhe shumë prej tyre shfaqën interesin për të qenë pjesë e Komiteteve Teknike të saj.
Kjo iniciativë do të shpërndahet edhe në qytete të tjera, ku DPS-ja do të vijojë të promovojë në komunitetin e sipërmarrjes private rëndësinë e standardeve dhe rolin e tyre në kuadër të integrimit europian dhe në kuadër të rritjes së cilësisë dhe sigurisë së produkteve ushqimore dhe jo vetëm.
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS)
Rruga: "Reshit Çollaku" (godina e ILDKPKI, kati VI)
Kutia Postare 98
1014 Tiranë – Shqipëri
Tel: + 355 (4) 222 62 55
Fax: + 355 (4) 224 71 77
E-mail: info@dps.gov.al
Web: www.dps.gov.al