Publikuar
Ky dokument specifikon metoda për përcaktimin e përqendrimeve të elementeve kryesore dhe elementeve dytësore/gjurmë në karburantet e ngurta të rikuperuara (SRF), pas tretjes së mostrës me përdorimin e përzierjeve të ndryshme acide ose me shtimin e një agjenti shkrirës për hirin e SRF-së.
a) Metoda A: Tretje me ndihmën e mikrovalëve duke përdorur një përzierje të acidit klorhidrik, acidit nitrik dhe acidit hidrofluorik (6 ml HCl; 2 ml HNO₃; 2 ml HF), e ndjekur nga kompleksimi me acid borik;
b) Metoda AT: Tretje me ndihmën e mikrovalëve duke përdorur një përzierje të acidit klorhidrik, acidit nitrik dhe acidit tetrafluoroborik (6 ml HCl; 2 ml HNO₃; 4 ml HBF₄);
c) Metoda B: Tretje me ndihmën e mikrovalëve duke përdorur një përzierje të acidit klorhidrik, acidit nitrik dhe acidit hidrofluorik (0,5 ml HCl; 6 ml HNO₃; 1 ml HF), e ndjekur nga kompleksimi me acid borik;
d) Metoda BT: Tretje me ndihmën e mikrovalëve duke përdorur një përzierje të acidit klorhidrik, acidit nitrik dhe acidit tetrafluoroborik (0,5 ml HCl; 6 ml HNO₃; 2 ml HBF₄);
e) Metoda C: Tretje me ndihmën e mikrovalëve duke përdorur një përzierje të acidit nitrik, peroksidit të hidrogjenit dhe acidit hidrofluorik (2,5 ml H₂O₂; 5 ml HNO₃; 0,4 ml HF), me kompleksim opsional me acid borik;
f) Metoda CT: Tretje me ndihmën e mikrovalëve duke përdorur një përzierje të acidit nitrik, peroksidit të hidrogjenit dhe acidit tetrafluoroborik (2,5 ml H₂O₂; 5 ml HNO₃; 0,8 ml HBF₄);
g) Metoda D: Tretja e mostrës së hirit të SRF-së me agjentin shkrirës metaborat litiumi në një furrë në temperaturën 1 050 °C.
Ky dokument zbatohet për elementet kryesore dhe elementet dytësore/gjurmë të mëposhtme:
- Elemente kryesore: alumini (Al), kalciumi (Ca), hekuri (Fe), kaliumi (K), magnezi (Mg), natriumi (Na), fosfori (P), squfuri (S), siliciumi (Si) dhe titani (Ti).
- Elemente dytësore/gjurmë: arseniku (As), bariumi (Ba), beriliumi (Be), kadmiumi (Cd), kobalti (Co), kromi (Cr), bakri (Cu), merkuri (Hg), molibdeni (Mo), mangani (Mn), nikeli (Ni), plumbi (Pb), antimoni (Sb), seleniumi (Se), kallaji (Sn), taliumi (Tl), vanadiumi (V) dhe zinku (Zn).
Metoda A është e zbatueshme për përdorim të përgjithshëm për SRF dhe hirin e SRF-së, por sasia e pjesës së provës mund të jetë shumë e vogël në rast të përqendrimeve të larta të lëndës organike. Metoda AT mund të përdoret kur nevojitet një alternativë ndaj acidit hidrofluorik (HF).
Metoda B, me një vëllim më të madh të acidit nitrik, është e përshtatshme për SRF me përmbajtje të lartë të lëndës organike (p.sh. me përmbajtje të lartë plastike), të cilat mund të jenë të vështira për t'u tretur me sasi më të vogla të acidit nitrik, ose si zëvendësim i metodës A kur pajisjet përkatëse nuk janë të disponueshme. Metoda BT mund të përdoret kur nevojitet një alternativë ndaj HF.
Metoda C, me kombinimin e acidit nitrik dhe peroksidit të hidrogjenit dhe shtimin e acidit hidrofluorik, është e përshtatshme për SRF me bazë druri (p.sh. dru nga prishjet e objekteve) ose kur kërkohet krahasueshmëri me standardet për biokarburantet e ngurta. Metoda CT mund të përdoret kur nevojitet një alternativë ndaj HF.
Metoda D është veçanërisht e përshtatshme për përcaktimin e elementeve kryesore në mostrat e hirit të SRF-së.
Fluoreshenca me rreze X (XRF) mund të përdoret për analizimin e elementeve kryesore (Al, Ca, Fe, K, Mg, Na, P, S, Si, Ti) pas hiritjes së mostrave në 815 °C. Gjithashtu, disa elemente kryesore dhe elemente dytësore/gjurmë në SRF mund të analizohen me XRF pas kalibrimit të përshtatshëm, me kusht që nivelet e përqendrimit të jenë mbi kufijtë e zbulimit të instrumentit dhe të jenë kryer testimet dhe validimet paraprake të nevojshme.
Metodat e tretjes që përdorin HF dhe kompleksimin pasues me acid borik, ose zbatimi i metodës D, janë të përshtatshme për përcaktimin e siliciumit (Si) dhe titanit (Ti), për shkak të efikasitetit më të lartë të tretjes.
Mund të përdoren edhe metoda alternative të tretjes, me kusht që performanca e tyre të provohet se është e krahasueshme me atë të metodave të përshkruara në këtë dokument.
PUBLISHED
SSH EN ISO 3884:2025
60.60
Standard published
2 korr 2026