“Vizioni i përbashkët për një botë më të mirë”
Më 14 tetor, shënohet Dita Botërore e Standardeve, e cila këtë vit vë theksin në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, bashkëpunimin për arritjen e këtyre objektivave si pjesë e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Kjo ditë celebrohet në nder të qindra mijëra ekspertëve në mbarë botën, të cilët kontribuojnë vullnetarisht në hartimin dhe miratimin e standardeve teknike, në dobi të zhvillimit dhe mirëqenies së shoqërisë.
Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG-të) synojnë të zgjidhin problematikat e pabarazisë sociale, të zhvillojnë një ekonomi të qëndrueshme dhe të ngadalësojnë ndryshimet klimatike. Për arritjen e tyre kërkohet bashkëpunimi i gjerë ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, si dhe përdorimi i të gjitha mjeteve të mundshme, përfshirë standardet ndërkombëtare dhe vlerësimin e përputhshmërisë.
Përvoja e pandemisë globale tregoi domosdoshmërinë për të trajtuar SDG-të në mënyrë gjithëpërfshirëse, për të forcuar shoqëritë tona dhe për t’i bërë ato më të qëndrueshme e më të barabarta. Ky mision i përbashkët për arritjen e objektivave thekson rëndësinë e SDG-ve për të rindërtuar një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme. Në këtë proces, standardet janë më të rëndësishme se kurrë si mjete në funksion të plotësimit të këtyre objektivave madhorë ndërkombëtare.
Duke bashkëpunuar japim ide për zgjidhje konkrete për të përballuar sfidat e qëndrueshmërisë.
Në këtë frymë bashkëpunimi, jemi të angazhuar në një udhëtim shumëvjeçar të Ditës Botërore të Standardeve, për të treguar mënyrat e shumta në të cilat standardet ndërkombëtare kontribuojnë në zhvillimin e SDG-ve.
Duke bashkëpunuar ndikojmë në përshpejtimin e Axhendës 2030, me standarde për SDG-të dhe me “vizionin tonë të përbashkët për një botë më të mirë.”
Në këtë ditë të rëndësishme, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin e saj për të gjithë anëtarët e Komiteteve Teknike që veprojnë pranë saj, pa kontributin e të cilëve adoptimi dhe publikimi i Standardeve Kombëtare nuk do të ishte i mundur.