Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO) ka publikuar standardin ndërkombëtar për IBAN - Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare.
Shumë vite më parë për të transferuar para jashtë shtetit duheshin shumë ditë për të mbërritur dhe ndonjëherë nuk mbërrinin fare në vendin, ku ishin nisur.
Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare (IBAN) është struktura e numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare, e cila lejon transferimin e sigurtë dhe të shpejtë të parave në të gjithë botën. ISO ka publikuar standardin ISO 13616, Shërbimet financiare, Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare.
Standardi ISO 13616-1, Shërbimet financiare - Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare (IBAN) - Pjesa 1: Përmbajtja e IBAN, specifikon strukturën dhe elementet e një numri ndërkombëtar llogarie bankare (IBAN), i cili përmirëson cilësinë, eficiencën dhe kohën e shlyerjes së transfertave kombëtare dhe ndërkombëtare, duke siguruar një shkallë sigurie më të lartë.
Pjesa 1 e standardit plotësohet nga pjesa 2 e tij, ISO 13616-2, Shërbimet financiare – Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare (IBAN) - Pjesa 2: Roli dhe përgjegjësitë e autoriteteve të regjistrimit, i cili detajon procedurat për regjistrimin e formateve IBAN dhe elementet e të dhënave, që vendosen në regjistër.
Standardi u hartua për herë të parë në vitin 1997 dhe ofron një metodë për krijimin e një kodi unik, që përshtatet në sistemet ekzistuese të bankave dhe mënjanon rrezikun e ngatërresave, kur bëhet fjalë për transferimin e parave midis bankave të shteteve të ndryshme.
Standardi ISO 13616 siguron një metodë, e cila ofron një mjet për strukturimin e informacionit dhe ka për qëllim të lehtësojë procesimin automatik të transfertave.
Përdorimi i IBAN-it synon rritjen e saktësisë së të dhënave të një transaksioni dhe reduktimin e ndërhyrjeve manuale në procesimin e tyre.
Rreziku i vonesës apo i moskryerjes së pagesës për shkak të pasaktësive, reduktohet, pasi llogaria bankare e përfituesit të fondeve, kreditohet vetëm nëpërmjet përdorimit të IBAN.
Komiteti teknik ISO, që hartoi serinë e standardeve ISO 13616 pohoi se një metodë e vetme, universale për identifikimin e llogarisë dhe transfertave bankare për klientët e institucioneve financiare do të ishte praktike, por shumë e kushtueshme për t'u zbatuar.
Standardi ISO 13616 i hartuar me dy pjesë merr parasysh faktin, që institucionet financiare dëshirojnë të mbajnë metodat e tyre aktuale të identifikimit të veprimeve bankare.