DPS ka publikuar projektin e 'UNECE' me temë: "Mundësimi i Përfshirjes përmes Integrimit të Perspektivës Gjinore në Infrastrukturën e Cilësisë për Tregtinë"
Më datë 17 dhe 18 Shkurt 2025 në Tirana International Hotel u prezantua projekti i UNECE me temë: "Mundësimi i Përfshirjes përmes Integrimit të Perspektivës Gjinore në Infrastrukturën e Cilësisë për Tregtinë"
Në këtë takim morën pjesë ‘Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), ‘Drejtoria e Pëgjithshme e Akreditimit’ (DPA), ‘Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë’ (DPM) dhe ‘Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit’ (DPS), si një nga tri shtyllat e infrastrukturës së cilësisë.
Znj. Enida Llaka dhe Z. Edvin Zhllima ekspertë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial UNIDO, diskutuan për Rëndësinë e Infrastrukturës së Cilësisë në zhvillimin ekonomik dhe anëtarësimit në BE, mbi rolin e gruas në sigurimin e cilësisë si dhe për rëndësinë e përkthimit të standardit ISO 53800:2024 “Udhëzues për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave”
ISO 53800:2024 është i rëndësishëm për adresimin e pabarazive gjinore dhe diskriminimit në sfera të ndryshme. Ai synon të nxisë një kulturë të barazisë gjinore si edhe inkurajon barazinë gjinore si një çështje themelore e të drejtave të njeriut.
Palët e tjerë pjesëmarrës ishin znj. Rachel Miller menaxhere projektesh në ISO, e cila prezantoi konceptin e 'Integrimit Gjinor' si dhe diskutoi mbi 'Përfshirjen gjinore në procesin e hartimit të standardeve'.
Gjithashtu edhe znj. Adriana Martinis menaxhere projektesh në CEN&CENELEC, nënvizoi rëndësinë e projektit dhe strategjinë e CEN&CENELEC lidhur me përfshirjen dhe barazinë gjinore në veprimtarinë politikbërëse dhe teknike të CEN&CENELEC por edhe të trupave të standardizimit dhe më gjerë.
Z. Ergi Bregasi ekspert pranë UNECE dhe z. Ariel Ivanier Shefi i Seksionit të Aksesit në Treg (UNECE), morën fjalën për të diskutuar mbi perspektivat gjinore në politikën dhe standardet tregtare.
Në mbyllje të takimit panelistët sollën në vëmendje rëndësinë e përfshirjes gjinore në hartimin e standardeve si edhe diskutimi mbi pengesat dhe mundësitë për integrimin gjinor në infrastrukturën e cilësisë.