Sulmet kibernetike vazhdojnë të shënojnë rritje në shkallë globale, duke sjellë humbje financiare të konsiderueshme për individët dhe organizatat, që përballen me to.
Teknologjitë biometrike, të cilat përdorin shënjues unikë për identifikimin dhe verifikimin e çdo individi, si shenjat e gishtërinjve dhe irisët e syve, po përdoren gjithnjë e më shumë për të vërtetuar me saktësi përdoruesit e llogarive të tipeve të ndryshme. Ato mund të jenë subjekt i sulmeve kibernetike vetëm nëse nuk ekzistojnë mekanizma dhe sisteme të mjaftueshme mbrojtëse.
Standardi ISO/IEC 30107-3 është një standard ndërkombëtar, që përcakton parimet dhe metodat për vlerësimin e performancës së algoritmeve kriptografike dhe për raportimin e rezultateve. Mekanizmat e algoritmeve kriptografike, të cilat zakonisht integrohen në telefonat celularë dhe përdorin teknologjitë biometrike, kanë kërkesat e tyre specifike, të cilat janë detajuar në standardin e sapo përditësuar ISO/IEC 30107-4. Ky standard është përditësuar për të pasqyruar teknologjitë dhe praktikat më të fundit që përdoren në telefonat celularë.
Standardi ISO/IEC 30107-4 ofron kërkesa për vlerësimin e performancës së mekanizmave e sistemeve operative në telefonat celularë me njohje biometrike lokale. Ai liston kërkesat e standardit ISO/IEC 30107-3, që janë specifike për telefonat celularë.
Një ndër specifikimet e përditësuar të standardit është shtimi i të dhënave biometrike dhe kërkesave të verifikimit të identitetit nëpërmjet internetit (FIDO). FIDO është një grup specifikimesh sigurie për vërtetimin të dhënash të hartuara nga Aleanca FIDO, misioni i së cilës është të zvogëlojë mundësinë e vjedhjes së fjalëkalimeve. Aleanca FIDO promovon hartimin dhe përdorimin e standardeve për identifikimin dhe vërtetimin e pajisjeve celulare.
Standardi ISO/IEC 30107-4 është një nga standardet e serisë për sigurinë kibernetike të hartuara nga komiteti teknik i përbashkët ISO dhe IEC për standardet biometrike, SC 37. Komiteti Teknik SC 37 ka hartuar mbi 130 standarde ndërkombëtare, dhe shumë të tjera janë në proces hartimi, të cilat shërbejnë për të mbështetur ndërveprueshmërinë dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet aplikacioneve dhe sistemeve. Komiteti monitoron gjithashtu faktorët, që ndikojnë në teknologjitë biometrike, si siguria kibernetike, si dhe çështje etike, ndërjuridiksionale dhe shoqërore.