Bordi Drejtues (BD) i Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit (DPS), mbajti mbledhjen e tij të parë për vitin 2018 më datë 9 Shkurt, në ambientet e DPS-së. Pjesëmarrja ishte e mjaftueshme, (kuorumi i nevojshëm, bazuar në VKM 433/2010 “Për krijimin, përbërjen, mënyrën e funksionit dhe kompetencat e Bordit Drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit”).
Mbledhja u drejtua fillimisht nga Drejtori i Përgjithshëm i DPS, Z. Riza Hasanaj, i cili hapi mbledhjen, duke e drejtuar atë sipas rendit të ditës të miratuar nga të gjithë anëtarët.
Rendi i ditës, ndër të tjera, përmbante:
- Zgjedhjen e Kryetarit;
- Analizën e punës vjetore të DPS dhe realizimi i detyrave të lëna nga mbledhjet e Bordit gjatë 2017;
- Objektivat në vazhdim dhe plani i punës për 2018;
- Diskutimin dhe miratimin e ndryshimeve në përbërjen e Bordit Teknik të DPS;
Disa nga rezultatet/vendimet e mbledhjes ishin:
- Zgjedhjen e zotit Edmond Sheshi, Administrator të NETRDA-Tiranë, Kryetar të Bordit Drejtues të DPS;
- Miratimi i Planit Vjetor të Punës së DPS për vitin 2018;
- Ndjekja me përparësi në bashkëpunim me sektorin juridik të MFE e procedurave për miratimin nga Këshilli i Ministrave i projekt Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për Veprimtarinë e Standardizimit”;
- Miratimi i 2 kandidaturave të propozuara nga Kryetari i Bordit Teknik për anëtarë të këtij Bordi, respektivisht z.Arben Burda dhe z.Gentian Muca.