Ndriçuesit janë ndër pajisjet më kryesore, të cilat shërbejnë për komoditetin dhe sigurinë tonë të përditshme. Para shumë vitesh rrugët ishin të ndriçuara me fenerë vajguri dhe përdoreshin qirinj për të ndriçuar shtëpitë gjatë natës. Në ditët e sotme njerëzit në shtetet e zhvilluara janë mësuar të ndezin dhe fikin dritat në shtëpitë e tyre, por akoma shumë shtete në botë ende nuk kanë akses në përdorimin e energjisë elektrike, e cila vjen nga rrjeti dhe përdorin fenerë vajguri të rrezikshëm dhe ndotës ose kanë akses në dritën e përftuar nga një panel diellor, që ndonjëherë funksionon dhe ndonjëherë jo.
IEC harton standarde, që mundësojnë përdorimin e dritava në mënyrë të sigurt dhe efikase në rrjet ose jashtë rrjetit. Ndriçimi mund të merret si mirëqenie në ekonomitë e zhvilluara, por ai mund të shkaktojë aksidente, nëse nuk përdoret në mënyrë të sigurt ose nuk instalohet duke plotësuar kërkesat e sigurisë. Komiteti teknik IEC TC 34, publikoi botimin e dhjetë të një prej standardeve të tij më të rëndësishëm, IEC 60598-1. Ky standard specifikon kërkesat e përgjithshme të sigurisë për ndriçuesit, që punojnë me tension furnizimi deri në 1000 V. Standardi përditësohet rregullisht për të marrë parasysh përmirësimet e sigurisë në lidhje me teknologjitë më të fundit. Këto përmirësime janë përfshirë me rishikime dhe ndryshime të vazhdueshme.
Ky standard synon të ndihmojë industritë e ndriçimit për projektimin e saktë të ndriçuesve, por edhe qendrat e testimit për certifikim dhe autoritetet e mbikëqyrjes së tregut për të verifikuar sigurinë e produkteve në treg.
Komiteti Teknik IEC TC 34 ka publikuar më shumë se 600 dokumente në lidhje me teknologjinë e ndriçimit. Ai ka katër nënkomitete (SC) për të trajtuar fusha të ndryshme dhe gamën e gjerë të zbatimeve në lidhje me industrinë e ndriçimit.
Komiteti Teknik IEC TC 82 publikon një seri specifikimesh teknike (TS), të cilat japin rekomandime për sisteme të vogla hibride të rinovueshme për elektrifikimin rural. Seria e specifikimeve është njohur nga Banka Botërore dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO).
Ato përfshijnë specifikimin teknik IEC TS 62257-9-8, i cili përcakton kërkesat bazë për cilësinë, qëndrueshmërinë dhe saktësinë për produktet e energjisë së rinovueshme, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve. Vlerësimi i këtyre kërkesave përdor metodat e testimit të përcaktuara në specifimin teknik IEC TS 62257-9-5. Të gjitha specifikimet teknike bazohen në Platformën e Sigurimit të Cilësisë dhe Standardet e Cilësisë të hartuara nga Organizata Globale e Ndriçimit dhe shërbejnë për ofrimin e aksesit në energjinë diellore, jashtë rrjetit për qindra miliona njerëz, që jetojnë pa energji elektrike në gjithë botën. Përdorimi i energjisë diellore u mundëson këtyre miliona njerëzve të kenë akses në ndriçim të sigurt.