DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

DPS merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të CEN dhe CENELEC, 26-28 Qershor, Luksemburg

DPS merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të CEN dhe CENELEC, 26-28 Qershor, Luksemburg

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të organizuar nga dy prej organizatave më të rëndësishme evropiane të standardizimit - CEN (Komiteti Evropian për Standardizimin) dhe CENELEC (Komiteti Evropian Standardizimin Elektroteknik) si dhe me mbështetjen e ILNAS, Organit Kombëtar të Standardizimit të Luksemburgut, e cila u zhvillua në datat 26-28 Qershor 2025.

Kjo ngjarje e nivelit të lartë mblodhi përfaqësues nga organizatat kombëtare të standardizimit të vendeve anëtare dhe atyre në proces anëtarësimi, siç është edhe DPS, duke ofruar një platformë të rëndësishme për diskutime strategjike mbi sfidat dhe prioritetet aktuale në fushën e standardizimit evropian. Temat kryesore të trajtuara përfshijnë transformimin dixhital të proceseve të standardizmit, përfshirjen e politikave të gjelbra në standarde, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare dhe anëtarësimit me të drejta të plota në këto dy organizma evropiane.

Pjesëmarrja e DPS në këtë Asamble përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të procesit për anëtarësim të plotë në CEN dhe CENELEC. Përfaqësuesit e institucionit morën pjesë aktive në sesionet plenare dhe diskutimet tematike, duke prezantuar progresin e arritur nga Shqipëria në përputhje me kriteret e vendosura të këtyre organizatave. Ky progres u vlerësua dhe u evidentua edhe nga Presidentët e CEN dhe CENELEC, respektivisht z. Stefano Calzolari dhe Riccardo Lama, në fjalën e tyre, duke vënë theksin në përmirësimet e dukshme të bëra nga DPS drejt marrjes së statusit të anëtarit të plotë në CEN dhe CENELEC.

Takimet dypalëshe dhe diskutimet gjatë eventit kontribuan në forcimin e bashkëpunimit me homologë evropianë dhe në thellimin e kuptimit për sfidat dhe mundësitë, që lidhen me integrimin e plotë të Shqipërisë në rrjetin evropian të standardizimit. Të një rëndësie të veçantë ishin takimet dhe diskutimet me zj. Kamila Pujan  –  Drejtore për Qeverisjen dhe Anëtarësimin në  CEN dhe CENELEC si dhe zj. Elisabeta Stamphl Blaha – Kryetare e Komitetit të anëtarësimit në CEN dhe CENELEC, ku DPS në zbatim të prioriteteve të Qeverisë Shqiptare, siguroi se mbetet e angazhuar për të vazhduar rrugën e integrimit të saj në strukturat evropiane të standardizimit, me qëllim forcimin e kapaciteteve kombëtare dhe mbështetjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare në përputhje me praktikat më të mira evropiane/ndërkombëtare dhe aksesin në Tregun e Përbashkët Evropian.