DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Tel/Cel: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Adresa: Rr.: "Reshit Collaku", (pranë ILDKPKI, kati VI), Kutia Postare 98, Tiranë - Shqipëri
Main menu

Buletini informativ javor i MZHETTS!

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka nënshkruar një marrëveshje me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), për zbatimin e programit “Për përfshirjen financiare të familjeve sipërmarrësve të vogla në Shqipëri”, financuar nga qeveria e Japonisë. Marrëveshja e nënshkruar mes MZHETTS dhe Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar parashikon se periudha e zbatimit të programit do të jetë katër vjet duke nisur nga tetori 2017, ndërsa do të zbatohet nga JICA, në bashkëpunim me Shoqërinë e Kursim Kreditit “Fedinvest”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe ajo e Japonisë kanë nënshkruar një Marrëveshje me shkëmbim notash për bashkëpunim teknik midis dy vendeve për vitin 2017, ku pjesë e Bashkëpunimit Teknik për këtë vit është cituar programi për mbështetjen financiare për familjet sipërmarrëse të vogla në Shqipërisë. Marrëveshja e nënshkruar mes MZHETTS dhe JICA shoqërohet me një plan të detajuar se si do të zbatohet programi, qëllimi i të cilit është përmirësimi i jetesës së familjeve të vogla nëpërmjet përfshirjes financiare dhe zhvillimin e sipërmarrjeve të vogla në vendin tonë.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri në pesë mujorin e parë 2017 është rritur me 9.5 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016, duke shkuar në 1.321.474. Shifrat raportohen nga Instituti i Statistikave, në botimin “Lëvizjet e shtetasve në Shqipëri” Maj 2017. Sipas të dhënave, rritje ka pasur në numrin e shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për pushime të gjata, pra jo për vizitat një ditore, pasi për periudhën Janar- Maj 2017 ky numër ka qenë 366.919, nga 132.729 që ka qenë të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri më i madh i hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë, në Maj 2017 rezulton nga Kosova me 29,3 %, pasuar nga hyrjet e shtetasve të huaj nga Maqedonia me 13,6 %, Mali i Zi me 10,1 %, Greqia me 8,8 %, etj.

Ndërkaq, INSTAT ka publikuar edhe botimin “Shqipëria në Shifra 2016”, ku bëhet e ditur se, hyrjet e shtetasve të huaj në pikat kufitare për vitin 2016 janë rritur me 14,6 %, krahasuar me vitin 2015. Gjatë vitit 2016, hyrjet e shtetasve të huaj nga rajoni i Evropës zënë peshën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj gjithsej me 94,7 %. Sipas të dhënave, Evropa jugore zë përqindjen më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj me 86,0 % të hyrjeve gjithsej nga Evropa. Hyrjet nga Kosova zënë 55,9 % të hyrjeve të Evropës Jugore, te ndjekura nga Maqedonia me 14,7 % dhe Mali i Zi me 8,4 %. Hyrjet e shtetasve të huaj nga rajonet e tjera zënë mesatarisht 5,3 % të hyrjeve të shtetasve të huaj gjithsej. Hyrjet e shtetasve të huaj gjatë vitit 2016 nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi zënë mesatarisht 64,4 % të hyrjeve të shtetasve të huaj gjithsej.

Në datat 18 deri në 21 qershor 2017 është zhvilluar panairi “Vinexpo Bordeaux”, i cili ka pritur një numër të madh prodhuesish të verës dhe blerës nga e gjithë bota. Ky është panairi më i rëndësishëm për promovimin e verës, i cili zhvillohet në një nga qytetet më të famshme të Francës për prodhimin e saj. Shqipëria u përfaqësua në këtë panair me dy kompani: Kantina e Verës Arbri dhe Kantina Çobo, falë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), si një nga mbështetësit e produkteve të suksesshme “Made in Albania”. Stendat e kompanive shqiptare u vizituan me interes të lartë gjatë gjithë ditëve të panairit. Përshtypjet në këtë panair janë shumë të mira dhe shumë prej vizitorëve janë surprizuar me vlerat e Shqipërisë, duke shprehur interes të madh për të zhvilluar ture turistike dhe veçanërisht vizita në kantinat e verës, për t'u njohur më nga afër me varitetet e rrushit dhe mënyrën e prodhimit të saj.

Falë pozicionit gjeografik, numrit të ditëve me diell, tokës pjellore dhe varieteteve autoktone të rrushit, Shqipëria prodhon verëra cilësore, duke rritur emrin e mirë të verës shqiptare. Panairi Vinexpo Bordeaux 2017 ofron mundësi të shkëlqyera bashkëpunimi mes bizneseve dhe krijon mundësi për gjetje të tregjeve të reja për eksport dhe ri zbuluar botën e rritjes së verës. Panairi shërben si një katalizator për biznesin ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e 2 300 ekspozuesve dhe 45 000 vizitorë tregtarë nga 150 shtete, duke ndihmuar për ndërtimin e një të ardhme të suksesshme të biznesit.

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit në vazhdimësi ka publikuar standarde të reja, të cilat vihen në dispozicion të sipërmarrjeve shqiptare, në fusha të ndryshme të ekonomisë. Javën e kaluar, DPS ka publikuar tre standardeve të reja, të cilët i vijnë në ndihmë sektorit fason në vendin tonë. Standardi i parë është SSH EN 1845:2007 “Makinat për prodhimin e këpucëve - Makinat e kallëpit të këpucëve - Kërkesat e sigurisë”. Ky standard zbatohet për makinat e prodhimit të këpucëve të cilat kanë si qëllim përdorimin e industrisë së këpucëve për prodhimin e këpucëve dhe komponentëve të tyre. Standardi i dytë është SSH EN 15307:2014 “Ngjitësit për lëkurë dhe materialeve për këpucë - Ngjitja taban-pjesë e sipërme - Kërkesat për rezistencën minimale”. Ky standard përcakton 4 llojet kryesore të këpucëve, kërkesat minimale të fortësisë për ngjitësin e tabanit me pjesën e sipërme me bazë solventi ose me ngjitës të tjerë në kushte specifike prove.

Ndërsa, standardi i tretë është SSH EN 13832-1:2008 “Këpucë mbrojtëse kundra produkteve kimike - Pjesa 1: Terminologjia dhe metodat e provës”. Ky standard specifikon metodat e provës për përcaktimin e rezistencës së degradimit, përhapjes dhe depërtimit të këpucëve nga kimikatet dhe përcakton kushtet që duhet të përdoren kundra produkteve kimike. Për më tepër informacion rreth standardeve shqiptare konsultoni Katalogun e Standardeve Shqiptare online:

http://www.dps.gov.al/standard/advance_search.php

Për më tepër:

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS)

Rruga “Mine Peza”, Nr. 143/3, 1014 – Tiranë

Kutia Postare Nr. 98

Tel: + 355 (04) 222 62 55

Fax: + 355 (04) 224 71 77

E-mail: info@dps.gov.al

Web site: www.dps.gov.al