Bordi Drejtues (BD) i Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit (DPS) mbajti mbledhjen e tij të parë për vitin 2017 më datë 13 Janar, në ambientet e DPS-së. Pjesëmarrja ishte e mjaftueshme, (mbi kuorumin e nevojshëm, bazuar në VKM 433/2010 “Për krijimin, përbërjen, mënyrën e funksionit dhe kompetencat e Bordit Drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit”).
Mbledhja u drejtua nga Kryetari i BD, Z. Ilir Rrëmbeci, i cili hapi mbledhjen, duke e drejtuar atë sipas rendit të ditës të miratuar nga të gjithë antarët.
Rendi i ditës, ndër të tjera, përmbante:
- Analizën e punës vjetore të DPS – problematikat e hasura gjatë 2016 dhe realizimi i detyrave të lëna nga mbledhjet e Bordit gjatë 2016;
- Objektivat në vazhdim dhe plani i punës për 2017;
- Diskutimin mbi shqyrtimin dhe rishikimin e përbërjes së Bordit Teknik të DPS;
- Të ndryshme.
Disa nga rezultatet/vendimet e mbledhjes ishin:
- Bashkëpunimi më i ngushtë me palët e interesuara, sidomos me biznesin, për një ndërgjegjësim më të madh të tyre, për rëndësinë e përdorimit të standardeve;
- Gjetja e mundësive financiare, nga ana e DPS, për përkthimin me tekst të plotë në gjuhën shqipe të disa prej standardeve shqiptare, veçanërisht të atyre të harmonizuara për fusha të ndryshme të ekonomisë;
- Vazhdimi i punës për plotësimin e kritereve për antarësim me të drejta të plota në CEN dhe CENELEC;
- Miratimi i Planit Vjetor të Punës së DPS-së për vitin 2017;
- Miratimi i ndryshimeve të propozuara nga Kryetari i Bordit Drejtues të DPS për disa ndryshime në përbërjen e këtij Bordi.
Mbledhja tjetër e radhës e Bordit Drejtues u la të mbahet në Shtator 2017.