DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Phone: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Address: Address: "Reshit Collaku" Str., (nearby ILDKPKI, VI floor), Po.Box 98, Tiranë - Albania
Main menu

Standardet e Organizatës Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO) mbi Efiçencën e Energjisë

Sot është dita e parë e fushatës sensibilizuese që Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO), ka ndërmarrë për Standardet e ISO-s mbi Efiçencën e Energjisë. Në vijim është një njoftim ku shpjegohet se kush dhe çfarë përfitohet nga përdorimi i standardit ndërkombëtar ISO 50001, të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit e sjell në dispozicion të biznesit vendas si standard shqiptar, SSH EN ISO 50001:2011: “Sistemi i menaxhimit të energjisë - Kërkesat bashkë me udhëzimin për përdorim”.

Një mjet strategjik

Përfitimet nga përdorimi i standardit ISO 50001 janë të dyfishta. Nga njëra anë, ne përfitojmë uljen e sasisë së emetimit të dioksidit të karbonit (CO2) në atmosferë, që krahasohet me heqjen nga qarkullimi të 215 milionë automjeteve të pasagjerëve në mbarë botën deri në vitin 2030. Nga ana tjetër, duke përdorur standardin, biznesi kursen 600 miliardë dollarë për të njëjtën periudhë, të parashikuara për energjinë.

Prandaj nuk është çudi që shumë vende e shohin standardin ISO 50001 si një mjet strategjik drejt një të ardhmeje të qëndrueshme të energjisë, duke e konsideruar atë si pjesë përbërëse të politikave të tyre të energjisë. Po ashtu, edhe qeveritë janë gjithnjë e më shumë proaktive në këtë drejtim, duke aplikuar uljen e taksave, financuar kërkimet shkencore dhe iniciativa të tjera me qëllim, për të promovuar kompanitë që të përdorin këtë standard.

Disa vende kanë zhvilluar tashmë standardet e tyre të sistemit të menaxhimit të energjisë, kështu që ishte emergjente që të kishim një standard të vetëm ndërkombëtar që përmbush nevojat e kompanive gjithnjë e më globale.

Standardi ISO 50001 i ofron organizatave kuadrin e duhur teknik e procedural për menaxhimin me efikasitet të energjisë së përdorur në veprimtaritë e tyre të përditshme. Udhëzuesi i standardit përdoret për të siguruar burimet për vazhdimësinë e biznesit dhe rimëkëmbjen e shpejtë të tij nga rrisqet e mundshme, përshtatjen ndaj ndryshimeve dhe aftësinë në përballjen lehtësisht me çmimet e paqëndrueshme të energjisë dhe burimeve të pazakonta e të përkohëshme të energjisë.

Pra, standardi ISO 50001 fuqizon kompanitë. "Duke jetuar në një botë të pasigurtë, kompanitë nuk mund të kontrollojnë çmimet, politikat e qeverisë apo ekonominë globale, por ato mund të përmirësojnë mënyrën se si të menaxhojnë energjinë, e cila ka shumë ndikim në treguesit ekonomikë të biznesit të tyre - thotë Roland Risser, Kryetar i Komitetit Teknik të ISO-s, ISO/TC 242, për menaxhimin e energjisë, që ka hartuar standardin".

Përfitimet janë të dukshme: përdorim më të mirë të burimeve dhe aseteve dhe më pak kosto e konsum të panevojshëm. Pa përmendur këtu përgjegjësinë e kompanisë për të lënë një botë më të mirë dhe planetin tonë një vend më të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm. "Ne të gjithë fitojmë kur përdoren standardet"!

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS)

Rruga “Mine Peza”, Nr. 143/3, 1014 – Tiranë

Kutia Postare Nr. 98

Tel: + 355 (04) 222 62 55

Fax: + 355 (04) 224 71 77

E-mail: info@dps.gov.al

Web site: www.dps.gov.al