DPS
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Phone: +355 4 222 62 55
E-mail: info@dps.gov.al
Address: Address: "Reshit Collaku" Str., (nearby ILDKPKI, VI floor), Po.Box 98, Tiranë - Albania
Main menu

Legjislacioni në fushën e Ndërtimit dhe Standardet e Harmonizuara!

Në datën 31 Tetor 2017, në kuadër të projektit të BE për Infrastrukturën e Cilësisë në Vendet e Ballkanit Perëndimor u zhvillua në Beograd të Serbisë, workshop-i 7 mbi legjislacionin për produktet e ndërtimit (CPR) me fokus standardizimin dhe standardet e harmonizuara në këtë fushë.

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) u përfaqësua në këtë workshop nga Drejtori i Përgjithshëm i saj zoti Riza HASANAJ, i cili në prezantimin e tij paraqiti çështjet lidhur me Standardet e Harmonizuara (hENs) që janë në Direktivën e Produkteve të Ndërtimit (CPR). Gjithashtu, z. Hasanaj prezantoi rolin dhe rëndësinë e këtyre standardeve (hENs) në mbështetje të CPR, sa nga këto standarde europiane janë të adoptuara si standarde kombëtare (SSH) dhe çfarë teknikash janë përdorur për këtë, si dhe puna e DPS për të inkurajuar industrinë e kësaj fushe të përdori këto standarde.

Së pari, zoti Hasanaj theksoi se për vetë rëndësinë që ka kjo fushë, DPS ka ngritur 4 Komitete Teknike (DPS KT) të njëjta me ato të Organizatës Ndërkombëtare të Standardizimit (ISO) dhe të Komitetit Europian për Standardizimin (CEN). Këto 4 Komitete që shqyrtojnë e miratojnë standardet në fushën e ndërtimit, janë:

DPS/KT 51- Çimento dhe gëlqere për ndërtim. Gipsi dhe prodhime me bazë gipsi;

DPS/KT 104- Produkte betoni dhe produkte të ngjashme. Produkte të parapërgatitura prej betoni;

DPS/KT 154- Agregate, guri natyror;

DPS/KT 250- Eurokodet strukturore.

Metoda e adoptimit është kryesisht me përkthim të faqes së parë të standardit. Në rast të përkthimit të plotë të tekstit origjinal të standardit, ne e miratojmë atë - tha zoti Hasanaj, pa devijim nga standardi europian (EN).

Janë 443 standarde Europiane të harmonizuara dhe 123 amendamente të tyre në mbështetje të CPR, të cilat janë të gjitha të adoptuara dhe publikuara si Standarde Shqiptare të harmonizuara.

Ne, vijoi Drejtori i Përgjithshëm i DPS, i sigurojmë palëve të interesuara informacion të përditësuar mbi këto standarde dhe jo vetëm, publikojmë në faqen tonë të internetit www.dps.gov.al ekstrakte të fushës së këtyre standardeve, i lejojmë të interesuarit të lexojë falas gjithë tekstin e standardit në ambjentet e zyrave të DPS, i shpjegojmë se zbatimi i standardeve të harmonizuara jep prezumim të konformitetit me legjislacionin në fuqi, organizojmë takime dhe i dërgojmë informacion kompanive dhe operatorëve të kësaj fushe mbi standardet e reja të sapo publikuara apo të shfuqizuara.

Komunikojmë gjithashtu nëpërmjet mediave sociale të DPS: DPS Facebook, DPS Google+, https://twitter.com/AlbaniaDPS​ dhe DPS Linkedin dhe nëpërmjet faqes së internetit të DPS.

Në periudhën 2015 – 2017 DPS ka shitur rreth 4300 standarde gjithsej, nga të cilat 970 janë standarde që lidhen me fushën e ndërtimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS)

Rruga “Mine Peza”, Nr. 143/3, 1014 – Tiranë

Kutia Postare Nr. 98

Tel: + 355 (04) 222 62 55

Fax: + 355 (04) 224 71 77

E-mail: info@dps.gov.al

Web site: www.dps.gov.al