Ditën e djeshme, datë 3 korrik 2019 u mbajt në ambjentet e Fakultetit të Shkencave Sociale një takim me studentë dhe pedagoge të ciklit Master Profesional.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin me Drejtorinë e Përgjithshme të Standardizimit dhe me punën e saj. Përmes një moduli të përgjithshëm informimi studentët mësuan mbi konceptin e standardeve; përfitimet që vijnë nga përdorimi i tyre; mënyrën e aksesimit dhe të blerjes së një standardi dhe mbi organet europiane dhe ndërkombëtare të standardeve. Gjatë takimit u shpërndanë mostra standardesh si dhe Katalogu i Standardeve Shqiptare 2019, i cili u prit me mjaft interes nga pjesëmarrësit.
Qysh më parë studentët e këtij cikli kishin shfaqur interes për procesin e standardizimit dhe në bazë të preferencës së tyre zgjodhen per te trajtuar me hollesisht ne kete takim informues standardin SSH ISO 26000 mbi përgjegjësinë sociale dhe Guidën ISO/IEC 50: 2002 mbi aspekte të sigurisë së fëmijëve, të cilat mund t`i ndihmojnë në punën e tyre në të ardhmen.
Në përfundim të takimit studentët dhe pedagogët shprehën interes për vendosjen e një bashkëpunimi edhe në të ardhmen, sidomos lidhur me standardet e aplikueshme në fushën e shkencave sociale dhe konkretisht në fushën e Psikologjisë Ligjore.
Ky takim informues vjen në kuadër të objektivave të DPS-së për të rritur ndërgjegjësimin dhe punën e Organit Kombëtar të Standardizimit në vend, për të promovuar rëndësinë e përdorimit të standardeve dhe gatishmërinë e DPS-së për të bashkëpunuar me palët e interesit.