Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) organizoi një takim me Agjencinë Kosovare të Standardizimit (AKS) më 31.01.2017, në zyrat e DPS, mbi Zbatimin e Marrëveshjes AKS – DPS dhe planin e AKS për adoptime gjatë vitit 2017.
Në këtë mbledhje morën pjesë përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Standardizimit:
Zoti Muhamed RUDARI – Udhëheqës i Drejtoratit për Standarde, Integrime dhe promovim, dhe
Zoti Bujar ISTOGU – Zyrtar i Lartë për Standardet.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit ishin:
Zoti Riza HASANAJ - Drejtor i Përgjithshëm
Zonja Kostanca DEDJA – Drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Ligjore dhe Marrëdhënieve me Palët
Zonja Lindita MISHOVA – Specialiste në Sektorin e Pikës së Referimit në OBT dhe Shitjes së Standardeve.
Takimi u zhvillua me një rend dite të përcaktuar më parë nga palët dhe kryesisht kishte të bënte me:
Ecurinë e deritanishme të zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit AKS – DPS;
Plani i AKS për numrin e standardeve që do të adoptojë si Standarde Kosovare gjate vitit 2017;
Pjesëmarrja e AKS në Konferencën Ballkanike e Standardizimit, dhe në Asambletë e Përgjithshme të CEN&CENELEC dhe ISO/IEC gjatë 2017;
Përditësimi i informacionit mbi ndryshimet që pësojnë (nëse ka) standardet që AKS i ka adoptuar si standarde kosovare;
Amendimet e tyre, shfuqizimet, etj.
Mbas diskutimeve të detajuara të pikave të rendit të ditës, në përfundim, përfaqësuesit e të dy institucioneve (AKS dhe DPS), konkluduan se Marrëveshja e Bashkëpunimit midis DPS dhe AKS, e firmosur në Korrik 2015, është një dokument shumë i rëndësishëm për të dy institucionet, vecanërisht për AKS, sepse i mundëson publikimin e standardeve Kosovare dhe vënien e tyre në dispozicion të biznesit vendas dhe të cdo pale tjetër të interesuar për to.
Gjithashtu, u vlerësua mbështetja e deritanishme nga DPS për AKS, duke lehtësuar mundësinë e pjesëmarrjes së AKS në eventet e rëndësishme rajonale e ndërkombëtare të standardizimit, mbështetje e cila u theksua se është shumë e rëndësishme për AKS dhe se do të vazhdojë pa hezitim, konfirmoi z. Riza Hasanaj, Drejtor i Përgjithshëm i DPS.
Më pas ai i kërkoi përfaqësuesve të AKS planin e standardeve që AKS do të adoptojë si Standarde Kosovare gjate vitit 2017, për të cilën z. Muhamet Rudari, tha se Agjencia Kosovare e Standardizimit ka në plan të adoptojë 1,600 standarde për vitin 2017 të fushave të ndryshme të ekonomisë dhe se tashmë planin e kanë gati, të ndarë në sektorë dhe Komitetet Teknike përkatëse.
Sidoqoftë, tha z. Hasanaj për një vijueshmëri efektive të këtij procesi, kjo listë duhet të jetë e saktë sa i përket titujve dhe standardeve të kërkuara. Për këtë kërkoi që lista të konfirmohet edhe nga Kryeshefi i AKS.
Pas diskutimit të të gjitha pikave të rendit të ditës dhe miratimit nga të dyja palët, Drejtori i Përgjithshëm i DPS Z. Riza Hasanaj e mbylli takimin, duke i uruar të dy stafeve të AKS dhe DPS punë të mbarë dhe një bashkëpunim sa më të frytshëm në vijim për të dy organizmat.